Pse jemi kaq të interesuar për jetët dhe lidhjet e V.I.P-ve?

Life style

Pse jemi kaq të interesuar për jetët dhe lidhjet e V.I.P-ve?

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 13:19
Ledri dhe Sara

Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm se pse Ledri s’ishte krah Sarës në tapetin e kuq, për promovimin e filmit “Në kuadër të dashurisë”, si dhe intervista e fundit e binjakëve Veshaj me Sarën, natyrshëm na lind pyetja: “Pse jemi kaq të interesuar, madje deri në fiksim me jetët dhe lidhjet e V.I.P-ve?.
 
Sara, e ftuar në “Më lër të flas”, e tha qartë e shkoqur që nuk do të flasë më për temën e “Ledrit dhe tapetit të kuq”, kur djemtë e pyetën pse ai s’ishte prezent. Moderatori e pyeti sërish nëse çdo gjë është në rregull dhe Sara u përgjigj se po, asgjë për t’u shqetësuar, thjesht nuk do të flasë më për këtë çështje dhe me të drejtë, pasi kjo temë është diskutuar aq shumë herë, sa u harruan të gjitha problemet që po përjeton bota për momentin.
 
Gjithsesi, edhe pasi e shkruam fragmentin e intervistës, pyetja jonë ende qëndron, ndaj po japim edhe disa arsye se pse jemi kaq të dhënë pas lidhjeve të njërëzve të famshëm.
 
Marrëdhëniet parasociale
 
Dëshira jonë për të ditur gjithçka mbi jetët personale të V.I.P-ve mund të lidhet me “marrëdhëniet parasociale”, të cilat sipas konceptit psikologjik shpjegohen si raporte të njëanshme, ku një person investon energji emocionale, interes dhe kohë te një person tjetër, ndërkohë që ky i fundit as s’e ka idenë që ky njeri ekziston. Kjo është një marrëdhënie që krijohet me personalitetet e famshme.
 
Kjo i shtyn njerëzit të përkushtohen në jetën e personit të famshëm, për të ditur gjithçka, veçanërisht për lidhjet romantike. Detajet, dramat, si u lidhën, ku ishte takimi i parë, si ndihen për njëri-tjetrin, gjestet e vogla, shikimet në sytë e tyre, gjithçka përbën interes për të ushqyer këtë “lidhje parasociale”.
 
Arratisemi nga jeta jonë
 
Një tjetër arsye është sepse jeta dhe marrëdhëniet e V.I.P-ve shërbejnë si një formë arratisjeje për njerëzit e thjeshtë.
 
“Njerëzit e pëlqejnë fantazinë, pasi i ndihmon të arratisen nga jeta e tyre”, shprehet Kimberly Hershenson, terapiste. Ajo shtoi: “Duke parë marrëdhëniet e njerëzve të famshëm, krijojmë diçka të re, të cilës i kushtojmë vëmendje”.
 
Mësojmë gjëra të reja
 
Lidhja Sara – Ledri, apo marrëdhënia e komplikuar mes Will Smith dhe Jada, të gjitha na mësojnë të tjera aspekte, të cilat jo domosdoshmërisht i kemi ditur.
 
“V.I.P-at vendosin karrierën para lidhjeve, ose flasin shumë për marrëdhëniet e tyre. Të dyja mund të shkaktojnë probleme, ose të na mësojnë se si t’i shohim gjërat nga një tjetër aspekt”, shprehet Hershenson.
 
Por, ne fiksohemi, kalojmë kohë dhe interesohemi për jetën e tyre edhe sepse e kuptojmë që ata, megjithë famën apo paratë, njësoj si të gjithë njerëzit kalojnë sfidat dhe problemet tona. “Sfidat më të madha në një lidhje, lidhen me problemet e komunikimit; paaftësinë për të zgjidhur konfliktet; mënyrat e ndryshme të prindërimit; seksi; karriera. Paratë nuk e blejnë lumturinë dhe fama dhe stresi që ajo sjell janë një tjetër faktor për problemet në këto marrëdhënie”, përfundon terapistja.
 
Shtyjmë kohën

 
Kjo është një tjetër arsye. Ti je në rrjetet e tua sociale, sheh një artikull apo video të një interviste të një personi të famshëm, i cili flet për marrëdhëniet romantike, e hap, e sheh ose e lexon. Më pas, përkushtohesh, bën disa kërkime të tjera dhe kupton që kanë kaluar disa orë që kur ti u more me diçka të tillë. Kështu, nga kurioziteti dhe dëshira për të shtyrë kohën nis dhe një fiksim me jetën dhe marrëdhëniet e të tjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat