Për të ndrequr diçka, nuk ke nevojë të poshtërosh dikë

Life style

Për të ndrequr diçka, nuk ke nevojë të poshtërosh dikë

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 13:02
Ilustrim (punim me laps nga Gëzim Zoto)

Një burrë i moshuar takon në rrugë një djalë të ri që e pyet:

– A më mbani mend?

Burri i përgjigjet se nuk e mban mend.

Atëherë djali i ri i thotë se dikur ka qenë nxënësi i tij. Mësuesi e pyet;

– Me të vërtetë?! Çfarë pune bën tani?!

I riu përgjigjet: “Jam mësues”.

“Ah sa bukur, mësues si unë.

– Në të vërtetë u bëra mësues sepse u frymëzova nga ju.

Mësuesi duke qenë kureshtar i kërkon të riut t’ia rrëfejë arsyen e frymëzimit dhe djali i rrëfen këtë histori;

“Një ditë, një shoku im erdhi në klasë me një orë dore shumë të bukur dhe unë ia vodha. Nuk kaloi shumë dhe shoku im e vuri re vjedhjen dhe erdhi për t’u ankuar tek ju.

Atëherë ju thatë para klasës:

– Ora e shokut tuaj është vjedhur gjatë mësimit sot. Kush e ka vjedhur, duhet ta kthejë.

Unë nuk e ktheva, sepse nuk doja ta ktheja.

Pastaj ju mbyllët derën e klasës dhe na kërkuat të ngriheshim në këmbë sepse do të kontrollonit xhepat të gjithëve, por më parë na kërkuat që t’i mbyllnim sytë

Ne i mbyllëm sytë dhe ju kontrolluat xhepat e të gjithëve dhe kur erdhi radha e xhepit tim, ju e gjetët orën dhe e morët.

Ju vazhduat t’i kontrollonit xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat thatë: hapini sytë se e gjeta orën. Nuk më thatë kurrë asgjë dhe nuk ma përmendët kurrë ngjarjen. Kurrë nuk e thatë emrin e atij që kish vjedhur orën.

Atë ditë, ju shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ka qenë dita më e turpshme në jetën time. Nuk më thatë asnjë fjalë dhe as nuk më bërtitët dhe as nuk më thirrët për të më bërë moral, por unë e kuptova mesazhin shumë qartë.

Dhe, falë jush kuptova që kjo është gjëja që duhet të bëjë një mësues i vërtetë.

A e mbani mend këtë histori, mësues”?!

Mësuesi u përgjigj: Më kujtohet ngjarja dhe ora e vjedhur. Më kujtohet që kërkova te xhepat e të gjithë nxënësve, por ty nuk të mbaj mend se teksa kontrolloja xhepat i kisha mbyllur sytë edhe unë.

Ky është thelbi i mirësjelljes.

Për të ndrequr diçka, nuk ke nevojë të poshtërosh dikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat