Terapia e akullit që trajton njollat dhe skuqjet në lëkurë: çfarë duhet të dini

Life style

Terapia e akullit që trajton njollat dhe skuqjet në lëkurë: çfarë duhet të dini

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 19:03
Foto ilustrim

Dielli, uji i kripur i detit, rëra, skuqja apo irritimi i lëkurës vijnë si dëshmi se pasojat pas plazhit dhe verës janë aty të dukshme, pavarësisht kujdesit me kremrat mbrojtës me SPF, ata hidratues, etj. Ndonjëherë, zgjidhja është më praktike nga sa ju e mendoni! Madje, mund ta gjeni brenda shtëpisë, mjaftojnë vetëm disa kube akulli.

Ekspertët e quajnë terapia e akullit, e cila shfrytëzon fuqinë ftohëse të akullit për të ndihmuar në rritjen e qarkullimit të gjakut, përmirësimin e skuqjeve dhe trajtimin e akneve.

Ju pëlqen si ide? Kirurgu Glyn Estebanez i shpjegoi revistës Glamour disa të vërteta në lidhje me këtë terapi:

“Terapia e ftohtë ose trajtimi me akull i fytyrës është procesi i aplikimit të butë të akullit ose një kompresë të ftohtë në lëkurë. Kjo teknikë synon të përmirësojë pamjen e lëkurës duke nxitur qarkullimin e gjakut dhe reduktuar inflamacionin. Kjo i jep fytyrës një pamje më të bukur dhe të shëndetshme”.

“Temperaturat e ftohta ngushtojnë enët e gjakut dhe kur lëkura ekspozohet ndaj akullit, qarkullimi i gjakut ngadalësohet. Kur lëkura nis të ngrohet pas vendosjes së akullit, enët e gjakut zgjerohen, duke nxitur qarkullimin më të mirë dhe duke e ushqyer lëkurën”, vijon kirurgu.

“Terapia e ftohtë mund të qetësojë lëkurën e irrituar ose të ndjeshme, duke e lehtësuar nga skuqja apo aknet. Gjithashtu, mbyllja e poreve krijon një strukturë më të lëmuar të lëkurës. Aplikimi i akullit përpara rutinës së kujdesit për lëkurën mund të ndihmojë produktet që të depërtojnë në mënyrë më efektive, duke maksimizuar përfitimet prej tyre”.

Si duhet ta përgatisim lëkurën për terapinë e ftohtë?

Si fillim, pastroni mirë lëkurën nga çdo grimcë papastërtie apo vaji. Ju mund të përdorni kube akulli ose kompresë akulli, por kujdes. Asnjëherë mos e vendosni direkt akullin në lëkurë sepse kjo shkakton djegie.

Sigurohuni që fytyra të jetë e thatë dhe pa lagështi të tepërt dhe më pas filloni aplikimin e akullit. Mbajeni akullin të mbështjellë me një copë dhe masazhojeni butësisht me lëvizje rrethore. Përqendrohuni në një zonë, si balli, faqet dhe nofulla për 5-10 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat