Kopshti, gjyshja apo dadoja? Pse nënat preferojnë kopshtin, avantazhet dhe disavantazhet e secilës

Life style

Kopshti, gjyshja apo dadoja? Pse nënat preferojnë kopshtin, avantazhet dhe disavantazhet e secilës

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

Pas muajve të parë që fëmija ka ardhur në jetë, veç kujdesit për ushqim, veshje, sëmundje, etj, prindërve u shtohet një tjetër përgjegjësi e rëndësishme.

Kush do e mbajë fëmijën gjatë kohës që ata janë në punë?

Zgjedhjet e mundshme janë tre, por gjithmonë është vështirë të zgjedhësh për t’i besuar kujdesin e fëmijës tënd për tetë orë ose më shumë. Kopshti ose çerdhja, gjyshërit apo dadoja? Cila është zgjidhja ideale? Kush përmbush më shumë kriteret e prindërve për mirëqënien e sigurinë e fëmijës?

Javën e kaluar në pernenat.al  kryem një sondazh lidhur me këtë çështje dhe rezultati ishte i tillë:
54% e nënave preferonin kopshtin ose çerdhen për t’i besuar të vegjëlit e tyre; 42% gjyshërit e vetëm 4% kishin zgjedhur një dado.

Secili prind ka arsyet dhe rrethanat personale që e shtyjnë drejt një zgejdhje ose një tjetër, por ne jemi përpjekur të listojmë avantazhet dhe disavantazhet e secilës zgjedhje, bazuar në studime dhe në fjalët e ekspertëve psikologë e pediatër.

Për secilën zgjedhje ka anë të mira, por edhe anë jo fort të mira.

Rritja e fëmijëve me gjyshër

“Ku ka më mire se prindi për fëmijën, por kur s’ke mundësi të qëndrosh vetë me të deri në moshën 2 vjeçare mendoj se është më mirë për fëmijën të qëndrojë me gjyshen sepse asnjë eduktore nuk mund ta ushqejë apo ta mbajë më mirë se ajo, ndërsa mbas moshës 2 vjeçare mund edhe ta dërgosh në kopsht sepse dhe fëmija kupton me ndryshe”- komenton një nga nënat në faqën tonë.

“Unë them për gjyshërit të paktën deri në 1 vjeç e pak ose 2, që të heqë panolinon sepse në çerdhe nuk kujdesen aq shumë për bebet. Plus ushqimi është problem, se derisa të mësohen të hanë vetë, mendoni se i ushqen dot 40 fëmijë një edukatore?! Pas moshës 2 vjeç jam dakord të vazhdojë jetën sociale me bashkëmoshatarët”!- thotë një nënë tjetër.

Avantazhet

– Prindërit janë të sigurtë që e kanë lënë fëmijën me dikë që i do shumë dhe kujdeset për ta me gjithë shpirt e i fal dashuri.
– Zgjedhja e gjyshërve nuk ka kosto financiare për prindërit.
– Gjyshja mund edhe të gatuajë, të kujdeset për punët e shtëpisë dhe të qëndrojë me fëmijët aq gjatë sa ka nevojë prindi, nuk ka orar të caktuar.

Disavantazhet

– Gjyshërit i llastojnë shumë fëmijët.
– Nuk i thonë dot jo, as për ushqime që mund t’u bëjnë dëme shëndetësore.
-Për shkak të moshës mund të mos i plotësojnë dot dëshirat fëmijës për lojëra, shëtitje etj.

Zgjedhja e dados

Avantazhet:

– Fëmija do të qëndrojë në ambientin e shtëpisë, pranë lodrave e sendeve të tij të dashura.
– Nuk ka nevojë të zgjohet herët me orar të caktuar.
– Fëmija del për shëtitje çdo ditë në të njëjtën orë, ha dhe fle sipas rregullave që përcaktoni ju.

– Fëmija është i mbrojtur nga sëmundjet dhe viruset e fëmijëve të tjerë.

Disavantazhet

– Zgjedhja e duhur e dados për fëmijën është e vështirë e kërkon shumë kohë.
– Dadoja është fytyrë e re në ambientin familjar dhe kjo mund të shkaktojë ankth, dyshime, xhelozi.
– Është më e kushtueshme.
– Fëmija do të kërkojë vazhdimisht kontaktin me fëmijë të tjerë.

Kopshti ose çerdhja

“Une jam për kopshtin sepse fëmija ka nevojë të shkëputet pak nga prindërit, dhe të kalojë kohë duke luajtur lojëra të ndryshme për moshën e tij. Për mendimin tim është shumë e rëndësishme që fëmija të qëndrojë me fëmijë, sidomos kur është fëmijë i vetëm. Aty do të mësohet edhe pak me rregulla, do të këndojë e do të recitojë, etj”, shkruan një nënë e faqes sonë.

“Unë personalisht kam votuar çerdhen ose kopshtin sepse fëmija aty mund të mësojë gjithçka, të jetë social dhe ne kemi nevojë për progres dhe jo regres, duke i lënë me gjyshërit që t’i mësojnë akoma me friken nga gogoli”, – shprehet dikush tjëetër.

“Une e kam të vogël akoma, por nëse do të më duhej të bëja një zgjedhje atëherë do të zgjidhja kopshtin. Sepse femija ka nevojë të shkëputet pak nga ambienti familjar. Dhe një arsye tjetvr është se gjyshërit i përkedhelin shumë fëmijët dhe çdo fëmijë ka nevojë për rregulla dhe disipline, plus të mësohet dhe me jeten sociale”- thotë një tjetër nënë.

Avantazhet

– Fëmija mëson vazhdimisht gjëra të reja, argëtohet, zhvillon aftësitë përmes lojërave, ngjyrosjes, këngëve etj.
– Bëhet më social pasi është në kontakt të vazhdueshëm me fëmijë të tjerë.
– Fëmija mëson të respektojë rregulla.
– Është zgjedhje ekonomike.

Disavantazhet

– Duhet të jeni çdo ditë të përpiktë me orarin në mëngjes dhe pasdite.
– Fëmija mund të marrë shumë viruse e infeksione.
– Gjatë verës duhet të gjeni patjetër një zgjidhje alternative.

Megjithatë, duket se zgjedhja më e mirë e më e preferuar është kopshti ose çerdhja. Fëmijët në kopsht ose çerdhe zhvillojnë të folurin e  të menduarit në nivele cilësore. Specialistët theksojnë se fëmijët duhet të mësojnë të njohin fjalët, tonalitetet e zërit, të shprehin emocione dhe kjo gjë arrihet më së miri në kopsht. Është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, si lojëra me ujë, lojëra me drita ngjyra-ngjyra, lexime të thjeshta, mësimi I këngëve për fëmijë, si dhe vizatimi.

Por duhet të keni parasysh disa këshilla përpara se ta çoni fëmijën atje.

– Koha më e përshtatshme për të çuar fëmijët në kopshte dhe çerdhe nis në moshën 18 muajsh ose 2 vjeç.
– Në fillim fëmija duhet të kalojë disa orë në çerdhe dhe pastaj gradualisht të rritni orët e qëndrimit deri në orarin e plotë.

– Çerdhja mund të kombinohet me dadon ose gjyshen, të cilat mund ta marrin më herët në shtëpi.

– Kur të kthehet nga çerdhja, ju duhet t’i jepni kohë t’ju njohë sërish, për të kujtuar aromën dhe zërin tuaj. Duhet të mbani mend që fëmija ka nevojë për hapësirën e tij, mjedisin familjar, zërin e mamit e të babit, krevatin e tij, lodrat dhe dhomën.
Ndërsa nëse jeni të detyruar për arsye të ndryshme të zgjidhni dadon ose gjyshen kini parasysh këto këshilla.

Për gjyshet:

– Shpjegojini se dëshirat e fëmijës kanë kufij dhe ndonjëherë duhet t’i thonë jo.
– Mbani kontakt të vazhdueshëm nëpërmjet celularit kurdo që të jetë e nevojshme.

Për dadon:

– Dado duhet të vijë në shtëpinë tuaj dhe jo të shkojë fëmija në shtëpinë e saj, që ndryshimi për të voglin të mos jetë shumë i madh e të ndihet rehat.
– Sigurohuni që fëmija të njihet me personin e ri në jetën e tij sa më qetë të jetë e mundur. Në ditët e para rrini së bashku me dadon dhe fëmijën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat