Efektet pozitive te video-lojerave

Life style

Efektet pozitive te video-lojerave

Më: 25 prill 2023 Në ora: 11:24
Foto ilustrim

Marrëdhënia e adoleshentëve me video-lojërat është pothuajse e pandashme. Në fakt në një sondazh të kryer kohët e fundit në SHBA rreth 97% e të gjithë adoleshentëve luajnë me video-lojëra të paktën 1 orë në ditë.

Por si ndikojnë video-lojërat në zhvillimin e tyre?

Kohët e fundit në fokus kanë qenë efektet negative që video-lojërat kanë te adoleshentët. Shumë studime kanë vërtetuar se adoleshentët që kalojnë shumë kohë duke luajtur video-lojëra krijojnë varësi ndaj tyre, bëhen më agresiv, kanë rezultate të ulta akademike dhe janë më pak të shëndetshëm se adoleshentët që e kalojnë kohën e lirë duke u marrë me sporte apo duke u socializuar.

Por a do të thotë kjo se nuk duhet t’i lejojmë fëmijët tanë të luajnë video-lojëra? Çuditërisht Jo! Sigurisht që efektet negative të video-lojërave mund t’ju frikësojnë por shumica e këtyre efekteve shfaqen vetëm nëse fëmijët kalojnë shumë kohë duke luajtur me to. Por nëse ata nuk luajnë gjatë gjithë kohës me to por vetëm 2 apo 3 orë në javë, ata do të kenë shumë përfitime nga këto video-lojëra.

Disa prej këtyre përfitimeve janë:

Përmirëson koordinimin e duarve me sytë

Studimet kanë treguar se adoleshentët mund të mësojnë një koordinim perfekt të duarve me sytë duke luajtur video-lojëra.

Përmirësojnë shpejtësinë e të menduarit dhe saktësinë

Aksioni në video-lojëra i bën lojtarët që të marin vendime të rëndësishme në një kohë shumë të shkurtër. Ato gjithashtu kërkojnë përqëndrim të lartë për tu përshtatur me ndryshimet e vazhdueshme gjatë lojës. Kjo gjë i ndihmon adoleshentët të mendojnë më shpejt për të llogaritur mundësitë dhe për të zgjedhur opsionin më të sigurt me një saktësi shumë të lartë.

Përmirëson aftësinë për zgjidhjen e problemeve

Studimet tregojnë se video-lojërat i ndihmojnë adoleshentët të zhvillojnë aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve. Duke luajtur lojëra të tipit strategjik adoleshentët do ta zhvillojnë më shumë këtë aftësi kaq të rëndësishme nga e cila varet dhe suksesi i tyre në jetë.

Përmirësojnë gjendjen emocionale

Disa video-lojëra si Angry Bird dhe Bejewelled u japing lojtarëve të tyre një ndjesi lumturie dhe i ndihmojnë të qetësohen. Këto lojëra i mësojnë fëmijëve edhe si të përballojnë dështimet me të cilat mund të përballen gjatë jetës së tyre.

Janë edukative

Video-lojërat edukative i mësojne fëmijëve aftësi të nevojshme të cilat ata i përdorin edhe në shkollë si gramatika apo matematika. Gjithashtu lojërat pro-sociale u mësojnë empati fëmijëve.

Sigurisht që këto përfitime varen shumë dhe nga zgjedhja e video-lojërave. Video-lojërat e dhunshme dhe ato me përmbajtje seksuale kanë më shumë efekte negative sesa pozitive ndaj është mirë që fëmijët tuaj të qëndrojnë larg tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat