A është realiteti një haluçinacion?

Life style

A është realiteti një haluçinacion?

Më: 27 mars 2022 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Nëse i jeni nënshtruar ndonjëherë anestezisë të përgjithshme, atëherë me siguri që keni përjetuar një harresë totale, një ndërprerje shumë më të plotë të ndërgjegjes sesa mund të provokojë edhe gjumi më i thellë. Orë apo edhe ditë të tëra mund të kalojnë në një milisekondë.

Kjo është provë – nëse ju nevojitet – se mund të pushoni së ekzistuari, dhe bota do të vazhdojë përpara edhe pa ju. Disa njerëz e shohin këtë gjë si të frikshme. Por neuroshkencëtari Anil Set e sheh si qetësuese. Në vitin 2017, Set mbajti një fjalim në formatin Ted, që është parë më shumë se 12 milionë herë në Youtube.

Një përmbledhje mahnitëse 15-minutëshe e kërkimit të tij prej 3 dekadash, që përfundoi parafrazimin e Julian Barnes:“Kur të vijë fundi i vetëdijes tuaj, nuk ka asgjë për t’u frikësuar, asgjë fare”. Kjo është një temë që ai e ri-trajtoi në librin e tij best-seller të vitit 2021 “Të jesh vetja”.

Set, 49-vjeç, nisi të studionte ndërgjegjen që në mesin e viteve 1990, në një kohë kur përparimet në informatikë dhe imazherinë e trurit po u jepnin shkencëtarëve mjete të reja për të kuptuar mendjen. Në vitin 1994, filozofi australian Dejvid Çalmers e përshkroi kështu këtë sfidë:Si mundet që lënda objektive fizike të krijojë përvojën unike, subjektive të ndërgjegjes? Si mund ta përshkruajë dikush në mënyrën e duhur ndjenjën e paimitueshme të të qenit, duke iu referuar vetëm trurit dhe biologjisë së njeriut?

Filozofët dhe shkencëtarët janë përpjekur që ta trajtojnë në mënyra të ndryshme këtë problem të vështirë. Panpsikistët argumentojnë se vetëdija është një cilësi themelore e të gjithë materies. Por në ekstremin tjetër, iluzionistët argumentojnë se vetëdija është diçka thjesht imagjinare.

Set, përgatitja akademike e të cilit përfshin fizikën, psikologjinë, informatikën dhe neuroshkencën, thotë se ka arritur në një përfundim tjetër, më të kënaqshëm. Hulumtimi që ka kryer e ka çuar atë në pozicione radikale:mënyra se si e shihni veten dhe botën është në fakt një haluçinacion i kontrolluar, argumenton ai.

Në vend se ta perceptojë në mënyrë pasive ambientin që na rrethon, truri ynë bën dhe përpunon vazhdimisht parashikime për atë që presim të shohim. Në këtë mënyrë, ne krijojmë botën tonë. Ai është i hapur ndaj idesë se bota fizike nuk ekziston në mënyrën që ne mendojmë.

Realiteti, beson Set, është haluçinacioni për të cilin mund të biem dakord të gjithë. Disa aspekte të perceptimit tonë janë më iluzore se të tjerat. Përvoja jonë për veten, si të pasurit e një identiteti të qëndrueshëm me kalimin e kohës, është një iluzion i dobishëm.

I tillë është edhe perceptimi ynë mbi vullnetin e lirë:ne besojmë se veprojmë lirshëm kur ndjekim bindjet, qëllimet apo dëshirat tona, por nuk mund t’i zgjedhim lirisht ato besime, qëllime apo dëshira. Synimi i ndërgjegjes, i të gjitha këtyre halucinacioneve, është që të na mbajë gjallë.

Kur të vdesim, ajo do të shuhet. Set beson se edhe kafshët janë të ndërgjegjshme, por nuk mendon se Inteligjenca Artificiale do të jetë ndonjëherë e tillë. Set beson se sa më mirë që e kuptojmë trurin tonë, aq më saktë mund të masim, manipulojmë dhe gjurmojmë vetëdijen.

Set kalon shumë kohë duke folur me njerëzit për implikimet shpirtërore të teorive të tij. Ato nuk janë në përputhje me besimin fetar se shpirti i mbijeton vdekjes. Gjithsesi ai sheh një “përputhshmëri të thellë” me shumë tradita fetare.

“Njerëzit përballen me të njëjtat probleme dhe ngrenë të njëjtat pyetje”- thotë ai. Ekzistojnë disa paralele midis punës së tij mbi natyrën kalimtare të vetvetes dhe mësimeve në hinduizëm dhe budizëm. Ai mediton çdo ditë.

Ai punon në “Sackler Center” në Instituti i Neuroshkencave në San Diego, SHBA, që ishte ndër grupet e para kërkimore multidisiplinare në botë të angazhuara në studimin e ndërgjegjes. Këtu, fizikanët, shkencëtarët e kompjuterave, neuroshkencëtarët, psikologët dhe filozofët, po hulumtojnë disa nga misteret themelore të njerëzimit:Çfarë është vetëdija?

Nga vjen ajo? Duke e kuptuar më mirë këtë, ata shpresojnë të zhvillojnë kura dhe trajtime të reja për gjendjet neurologjike dhe psikiatrike si koma, pagjumësia, depresioni dhe psikoza.

Këtë muaj, Set dhe studiues të tjerë po punojnë me kompozitorin Xhon Hopkins dhe artistët fitues të çmimit “Turner Assemble”me një projekt që prezanton “Dreamachine” për anëtarët e publikut dhe fëmijëve të shkollës. Set shpreson të frymëzojë një brez të ri studiuesish dhe filozofësh të ndërgjegjes, dhe ekipi i tij do të përdorë një program kompjuterik për të ndihmuar pjesëmarrësit të rikrijojnë haluçinacionet e tyre.

Për kuriozitet, pranova të hyja edhe një herë në kabinë. Brenda kishte një dritë që pulsonte me një frekuencë më të ulët. Set më këshilloi që të qëndroja e qetë, dhe t’i përshkruaja haluçinacionet ashtu siç u shfaqën.

Unë nisa të flas për trekëndëshat ngjyrë jeshile që shndërroheshin në yje rrotulluese ngjyrëportokalli. Pas 5 minutash që i ndjeva si 30 sekonda, drita u ndal dhe po ashtu edhe vizionet e mia. Ndihesha çuditshëm sikur sapo isha kthyer nga një udhëtim në një galaktikë të jashtme të çuditshme.

Kur lexova për herë të parë librin“Being You”, më bëri shumë përshtypje vetmia e vizionit të tij. Ne jemi të gjithë, sugjeron libri, të bllokuar në universet tona të krijuara vetë, nga botë të brendshme që janë gjithçka që mund të dimë ndonjëherë, dhe që do të zhduken brenda një çasti me vdekjen tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat