Largimi fshehurazi kur çoni fëmijën në kopsht, si ndikon kjo sjellje e prindërve dhe ç’të bëni sipas Lira Gjikës

Life style

Largimi fshehurazi kur çoni fëmijën në kopsht, si ndikon kjo sjellje e prindërve dhe ç’të bëni sipas Lira Gjikës

Më: 8 gusht 2021 Në ora: 19:32
Ilustrim

Prindër, ju që dërgoni fëmijët në çerdhe, kujdes kur largoheni, mos ikni fshehurazi fëmijës. Kjo mënyrë të vepruari është shumë traumatike për fëmijën, pasi brenda këtij veprimi është braktisja dhe gënjeshtra. Nëna i thotë fëmijës se do të shkojnë në kopsht së bashku dhe sa arrijnë aty, nëna zhduket papritur dhe fëmija mbetet vetëm në krahët e një gruaje të panjohur, në një mjedis të panjohur. Fëmija në moment pushtohet nga dyshimi, frika, trishtimi dhe inati. Gjëja e parë që mendon fëmija, është që nëna nuk e do më dhe do të shpëtojë nga fëmija. Veprimi i duhur është që nëna me qetësi, duhet të largohet duke e përshëndetur fëmijën dhe të mos influencohet nga sjellja e saj apo e tij, pra të qarat e fëmijës. Kur nëna ikën e sigurt dhe e qetë duke e përshëndetur fëmijën, kjo sjellje e nënës është sjellje siguruese për fëmijën, natyrisht jo në çast, por i lë të kuptojë që nëna e beson personin që e ka marrë në krahë. I tregon se në vendin që e ka sjellë dhe do të kalojë disa orë të ditës, është i sigurt dhe nuk ka përse të trembet. Nëna apo babai duhet të kenë kujdes që të shkojnë ta marrin fëmijën në orën që i kanë premtuar atij.

E qara e fëmijës ka disa arsye. Një shkak i së qarës mund të jetë se nuk do të rrijë vetëm pa nënën dhe kur qan e di që nëna vjen dhe rri me të. Një shkak tjetër, mund të jetë se e qara është kthyer në sjellje, fëmija i arrin gjërat pasi qan fort. Dhe një shkak i tretë: e qara është forma më e mirë për të demostruar vuajtjen e vet dhe nuk është e dëmshme siç e mendoni. Më mirë ta tregojë vuajtjen dhe edukatorja pranë fëmijës ta ngushëllojë duke i dhënë të drejtë që është i/e mërzitur. Dhe do të ishte shumë mirë t’i thoshte, se nuk ka trimëri më të madhe se të përballosh ndarjen nga mami kur vjen në kopsht. Qëndrimi i edukatores në këto raste është shumë i rëndësishëm, ajo ose e qetëson fëmijën dhe i shton besimin te nëna, ose e tremb dhe e nënshtron fëmijën.

***

Një rast tjetër, kur fëmija sapo është bërë me një motër ose vëlla.

Kur fëmija shkon në kopsht ai trishtohet shumë dhe madje mendon, dhe është i sigurt, se nëna do ta largojë se nuk e do më. Sidomos kur ka një vëlla apo një motër më të vogël që rri në shtëpi me nënën. Fëmija mbase nuk duhet çuar në kopsht që ditët e para pasi ka ardhur vëllai apo motra, por duhet dërguar pas një jave apo dhjetë ditëve e shumta. Atij apo asaj i duhet dhënë e drejta që mërzitet, por duke e siguruar se askush nuk mund t’i zërë vendin, përkundrazi, çdo ditë e duan edhe më shumë pasi çdo ditë është më i madh. Fëmijës i shpjegohet se në kopsht duhet të shkojë pasi është e vetmja rrugë për t’u rritur. Ashtu si të rriturit shkojnë në punë, fëmijët shkojnë në kopsht. Në këtë periudhë të jetës njeriu shkon në kopsht, ku të rriturit që punojnë atje kujdesen që të mësojë sa më shumë gjëra të bukura duke luajtur dhe kështu do të rritet duke bërë qejf. Brenda një kohe të shkurtër fëmija do kuptojë se nuk e çojnë në kopsht se nuk e duan, por sepse ka ardhur koha që të njohë mjediset jashtë shtëpisë i vetëm, pa mamin dhe babin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat