Varësia nga story-t e Instagram është e vërtetë: Çfarë është e rëndësishme të dini!

Life style

Varësia nga story-t e Instagram është e vërtetë: Çfarë është e rëndësishme të dini!

Më: 30 prill 2021 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Kur këta rrathë të vegjël me përmbajtje filuan në gusht të 2016-ës, njerëzit u betuan që s'do i përdornin sepse Instagrami kishte imituar Snapchat-in. Një vit pas lançimit, stories e Instagram numëronin 150 milionë përdorues dhe sot mbi 500 milionë ndërveprojnë me to çdo ditë.

"Historitë e Instagram-it funksionojnë pak a shumë si episodet e Netflix, janë të gjitha aty të disponueshme, prandaj edhe ne i shohim shpejt të gjitha (binge-watching). Fakti që janë aq të shkurtra dhe të shpejta i bën edhe më tërheqëse", shprehet dr. Raffaello Antonino, psikolog.

Ky lloj content-i (përmbajtjeje) u krijua posaçërisht për të na larguar nga përgjegjësitë e realitetit edhe më shpejt sesa risitë e tjera të rrjeteve sociale. Kompanitë kanë krijuar një cikël vicioz, ku, si me varësinë nga droga, përdoruesi kërkon gjithnjë e më shumë, pa e kuptuar se çfarë po bën.

Fakti që story-t e Instagram janë në përgjithësi më të "shkujdesura", më të lehta për t'u bërë, kontribuon gjithashtu në joshjen e tyre. Rrjetet sociale mund të krijojnë një realitet të rremë, por në stories - njerëzit shpeshherë tregojnë historinë e tyre, ndajnë një ngjarje reale dhe gjithçka bëhet më e prekshme. 

Një sondazh i kryer nga Facebook zbuloi se njerëzit mendojnë se mund të jenë më autentik në stories, pasi përmbajtja zhduket pas 24 orësh, gjë që ata e shohin më joshëse. Për më tepër njerëzit mund të komunikojnë shumë lehtë përmes story-ve. Një reply, një "react" dhe kështu, nisi një bisedë e re, ndoshta edhe një miqësi apo njohje e re.

Gjëja më e çuditshme që ndodh ëshë edhe fenomeni tjetër: Ne shohim me qindra herë postimet që bëjmë vetë në story. Tingëllon qesharake dhe nuk e dimë si arritëm në këtë pikë, por ju sigurojmë se e bëjnë të gjithë. Këtë e thonë sondazhet dhe kërkimet e bëra. 

Arsyeja? Shumë e thjeshtë. Si specie, ne jemi natyrshëm kuriozë për njerëzit dhe se si na shohin ata. Teoria e Looking-Glass Self u zhvillua nga një sociolog me emrin Charles Cooley në 1902, duke pohuar se ne zhvillojmë konceptin tonë të vetvetes nga vëzhgimi se si ne perceptohemi nga të tjerët.

Në thelb, ne postojmë pikat kryesore të jetës sonë për të forcuar identitetin. Kjo gjë ka potencialin për të na mbërthyer në një cikël vicioz,  ku ndjejmë se mënyra e vetme për të rritur besimin dhe vetëbesimin tonë është të vazhdojmë të postojmë projeksionin tonë "perfekt" të vetvetes.

Ndikimi i shëndetit mendor

Kur bëhet fjalë për shëndetin mendor, si me shumë aspekte të tjera të rrjeteve sociale, edhe stories mund të kontribuojnë në ankth dhe depresion. Dismorfia e trupit e nxitur dixhitalisht tashmë ndodh rëndom në shoqëri. 

"Fëmijët dhe të rriturit e të gjitha moshave më kanë treguar se kanë turp të postojnë fotografi të tyre pa përdorimin e filtrave. Disa më tregojnë se do të bëjnë operacione plastike që të duken më shumë si versioni me filtra i vetes", shprehet Magavi, psikologe.

Me filtra apo jo, ne marrim një dozë dopamine sa herë që na vjen një mesazh apo shohim se ish-i ka parë postimet tona. Gjithë këto ndjesi, kanë pikëpyetjet e tyre.

"Njerëzit që na shohin story-t mund të ndikojnë në krijimin e ndjenjave false, ndjenja që nuk mund ta zënë asnëjherë vendin e një bisede të vërtetë apo e kalimit të kohës me dikë që duam. Me kalimin e kohës, kjo mund të krijojë ndjenja vetmie."

Rrjetet sociale mund të duket si një ortek i pakontrollueshëm i njerëzimit, por ndonëse efektet janë shqetësuese, nuk është gjithçka kaq e zezë. Përmes tyre ne mund të mësojmë gjëra të reja, të stërvitemi, të gatuajmë një recetë të re, të komunikojmë me një punëmarrës të ardhshëm etj. Prandaj, çelësi është të gjejmë një ekuilibër të shëndetshëm dhe kjo arrihet vetëm duke qenë të vetëdijshëm për ndikimet e rrjeteve sociale në nivel personal.

Kur të mendoni se jeni përhumbur në vorbullën e Instagramit, rikthehuni te ky artikull, për t'i rikujtuar vetes çfarë ka vërtet rëndësi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat