Burrnesha… nuk ka më “profesion për një gjini”, por ka njerëz që luftojnë për atë që duan

Life style

Burrnesha… nuk ka më “profesion për një gjini”, por ka njerëz që luftojnë për atë që duan

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 09:29
Foto ilustrim

Problemet e mia filluan të zgjidhen kur u bëra burrë. Jo në kuptimin seksist, por në atë artistik, ideor. Në veri do quhej burrneshë. Këtu ku jam s’ka një emër tjetër – “grua”.

Po mësoj të jem burrë në lëkurë femre. Po anashkaloj takat që të më shërohen këmbët prej kallove, e po vesh fustane për të ndjerë flladin dimëror nën këmbë. Jo, jo, unë linda grua, por gra ka pjellë më shpesh shoqëria.

Dua të them se të qenit grua, apo burrë, nuk ka lidhje me të qenit njeri pjellor; këto gjëra tregojnë, sipas shqyrtimeve të mia, për gjendjen shpirtërore. Për rrjedhojë…

Ka gra që punojnë me kazëm, me lopatë, e unë dua t’u bashkohem. Ka burra që qepin kostumet më të bukura e më të shtrenjta, e unë i admiroj. Ka gra që nuk duan të jenë të lira, por të lidhura pas një profesioni, e unë i dëgjoj. Ka burra që kalojnë jetën në kërkim të lumturisë, se nuk shohin dot veten në pasqyrë – unë i kuptoj. E rëndësishme është ta dimë se me kë kemi të bëjmë.

Ka pasur kohë kur kam besuar se burrat në disa vende nuk qenë burra sipas preferencave të mia, ose se gratë e disa vendeve nuk qenë gra, por burra, për të kompensuar burrat që qenë si gra. Francë, Shqipëri, Amerikë, Holandë, Gjermani… burrat martohen me gra por edhe me burra, po të duan, të paktën në zemër, e gratë ndjekin shembullin, ose udhëheqin, duke u dashuruar me burra e gra po ashtu. Nuk ka më “profesion për një gjini”, por ka njerëz që luftojnë për atë që duan, siç e duan, kur e duan, sado fëminore, aq më mirë. Ka fëmijë që rriten shpejt, të moshuar që lindin për të 89-ën herë, shtëpi historike që shemben, ose piktura e burra a gra që i shembin këto shtëpi.

Ka vend për të gjithë në botë.

Pse nuk i hapim vend vetes tonë, të marrë frymë, të thotë dy fjalë më shumë, për veten e tij? Pse e lëmë të shkuarën të jetojë më mirë sesa e ardhmja? Këtu qëndron balanca. Nëse nuk ka vend për ne, nuk ka vend për askënd.

Të qenit burrë është çështje perspektive dhe çështje topesh. Po i patë të dyja, bëhesh politikan. Ne gratë kemi lloje të tjera topesh. Të kesh ashtu dhe një burrë, bëhesh një asgjë në shtëpi. Po kur nuk ke as burrë, as shtëpi, bëhesh burrë vetë dhe nuk pyet më për njeri. Ka edhe burra që nuk bëhen politikanë, por martohen me gra-burra, ose me gra të mërzitshme, ose me gra të bukura, ose qëndrojnë vetëm dhe përfitojnë nga jeta më gjatë.

Jeta megjithatë do jetuar, do dashur, si njerëzit – nuk duhet zhvatur, rrjepur, urryer, përlyer, përfolur, keqmenaxhuar. Si një lule, si një vashë e vockël, ashtu, duhet të mbetemi në zemër. Mendoni se po tallem? Ah. Thjesht kripa i mungon gjellës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat