Një piktor i frymëzuar nga formula magjike e bukurisë

Libra

Një piktor i frymëzuar nga formula magjike e bukurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 20 mars 2018 Në ora: 09:09
Kopertina

(Femra shqiptare është trimëreshë dhe shpirtluaneshë. Ja pra motivet, arsyet, mendimet, ndikimet dhe frymëzimet e Afrim Shatkut për ta pasuruar botën shqiptare me piktura magjike!).

Arti është jetë dhe jeta është art. „Arti është si jeta. Sejcili mund ta gjejë kuptimin e saj për veten e tij”, ka thënë Dr. Ibrahim Rugova i pavdekshëm. Shqiptarët kanë nevojë për art, kurse bota artistike shqiptare ka nevojë për afirmime vlerash. Afrim Shatku është piktor, ideator dhe arkitekt. Një piktor i inspiruar nga formula magjike e bukurisë. Derisa shumica e piktorëve tanë frymëzohen nga natyra, në pikturat e Afrimit vërehet guximi shqiptar për të nxjerrë në pah hijeshinë e femrës. Femra është ajo që e mbush botën, që e mbush shtëpinë, që i mbush zemrat tona me lumturi dhe dashuri: „E pamundur, e pamundur, e pamundur. Çliromë prej vetes sime! Dua të dal prej shpirtit tim, sepse ti je rruga ime! Mes luftës dhe zjarrit të krijova!” (Citat nga poezia e Pablo Nerudës „Tejmbushu me mua”).

Sazan Papraniku thekson: Fisnikëria lind për 7 e 700 breza dhe ruhet e shfaqet që nga Molla e Kuqe e deri në Prevezë, duke patur për epiqendër Tiranën. Fisi Shatku vjen nga Dibra e Madhe. Dhe daja im Besnik Shatku, në të 80-at e tij të “aritura”, ua dëshiron të mirën kuadrove të çdo lëmie! Dajë Besniku vjen nga kushërinjtë tu të mëdhenj, për formimin, ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve të Shqipërisë së Pavarur, të Shqipërisë Mbretnore, po edhe të asaj post 1945, duke mos u përkulur stuhive të panumërta për Komb e Atdhe, në Mbretninë Shqiptare me emblemën „Etnike”. Të paçim o dajë me zërin jehues që vjen nga Pellazgo-Iliriku Shqiptar! Ju lumtë për aritjet tuaja artistike!”

Duke shfletuar albumet e kujtimeve, thekson Afrimi, hasa në një kartëpostale shumë të vlefshme, dërguar xhanit tim, Refushes. U prehtë në paqë! Në kuadrin e njërit nga albumet e tij, piktori gjen urime me rastin e pagëzimit të bijes së tij, Ardita, kur ai asokohe ishte në shërbim ushtarak. Për një krijesë në njërën nga pikturat e tij, thekson: „Pak sa melankolike duket, por kështu e ka jeta.” Autori posedon frymëzime magjike që krijojnë piktura të bukura e joshëse, disa nga to të shoqëruara me urata: „Ju lulëzofshin dhe lumturofshin zemrat, si behari që na vjen!” Në kuadrin e një vizatimi tjetër, vjen me një mendim filozofik: "Një ditë do të zgjohesh dhe s'do kesh kohë të bësh atë që kaherë ke dashtë të bësh! Andaj bëre tani.”

Afrimi pikturon Nënë Terezën dhe nënat tona, duke na uruar: „Rezatoni butësi dhe mirësi, sikur nëna që mban fëmijën në gji!” Dhe më tej: „Të jesh njeri i mirë do të thotë të gjesh një mënyrë si të jetosh tek të tjerët, kur ata kanë nevojë për ty!” (Artan Mullaj). Afrimi na josh edhe me projekte xhamishë. Krejt faltoret janë Shtëpi të Zotit, ndërsa rruga për në faltore është rruga për në Parajsë. Ja edhe disa mendime të shkëputura nga ditari i jetës: „Dije mirë të kaluarën tënde, që i sigurtë të shkelësh të ardhmen! Mos haro nga erdhe, që mos ngatërohesh se ku do të shkosh! ”Lufto me dëshirën, se e nesërmja mund të sjellë ndryshime, por ti gjithmonë ji unik në qëndrimin tënd ndaj saj” (Blerona Braho). Vetmia është e këndshme kur e zgjedhim vetë, ndërsa është e egër kur na inponohet nga rrethanat e jetës. Kurrë s'do ndalojë t'iu gëzohem gjërave të vogla dhe njerëzve të mrrekulueshëm. „Përherë do egzistojë një rrugicë mendimi që s’do mund ta dallojë dot as syri, as veshi, as arsyeja. Parandienja është zëri enigmatik i ndërgjegjes pa vetëdije” (Jola Puci).

Pasojnë meditime tjera interesante për artin dhe jetën. Disa origjinale, disa të huazuara: Unë dhe brushat e mia. Edhe në orët e vona të kësaj nate vazhdojmë me piktura të ciklit blu. Nëse rezaton qetësi dhe siguri, kjo është forca jote, për të cilën tjerët do të kenë zili. (Artan Mullaj). „Atje ku ka dritë, ka shpresë. Atje ku ka shpresë, ka jetë. Atje ku ka paqë, është Zoti. Atje ku është Zoti, nuk mungon asgjë” (Mevlana). Aq shumë kam një mallë për Shqipërinë, natë e ditë, sa s'kam as prehje as gjumë. Kështu, me fjalë tjera pat thënë edhe Naim Frashëri dikurë. Pason durimi dhe shija e padurimit: „ Shija e durimit është e hidhur por përfundimi i tij është i lumtur .” (Dritëro Agolli). Ndonjëherë çdo gjë nis me një pikë, e atëherë durimi me artin, me ëndrrën dhe me të bukurën bashkohen. Punëdashja, respektivisht dashuria ndaj punës, bëhet ngjyrë mbi letrat e bardha, dhe jeta mer kuptimin e vet! (Mendim i huazuar).

Gjërat e bukura që të bien në mend, derdhi në lutje! Do të shohësh që behen rrugë. Bëhen qëllim dhe realizim. Kjo vlen edhe për ne, po qe se themi në vetmi, pa na dëgjuar askush, përveç Zotit: „Ndihmoje Zot familjen time! Mbroma shëndetin o Zot! Ndihmoji të sëmurët, të varfërit dhe dashamirët! Dhe ma jep shansin të shkoj nga drita në dritë!” Kush pat thënë vallë: „Jetën time e jetoj unë! Gabimet e mia i paguaj unë! Përgjegjësitë e mia i mbaj unë. Vuajtjen time e vuaj unë. Atëherë, çfarë ke o njeri! Pse je kaq i uritur të lundrosh,  në jetën time?”

Afrim Shatku është i uritur për të na befasuar me art adekuat. Ai është mjeshtër i kombinimit të ngjyrave, pikturat e të cilit shkëlqejnë nëpër ekspozita të ndryshme profesionale. Ekspozita në të cilat vërehen pjesë nga realiteti dhe pjesë nga ëndrra, duke krijuar kështusoj një univers komplet human. Ai sjell një paradigmë të re artistike në fushën e zhvillimit shoqëror. Bërthamë e sukseseve të tij është bota e artit. Ai i përket brezit të krijuesve që përmes penelit të tyre dinë të krijojnë vlera të mirëfillta artistike, duke i dhënë prioritet hijeshisë, bukurisë, atdhedashurisë. Afrimi e mban të ndezur flakadanin e artit vizuel (pamor) në trojet e bekuara të Albano-Maqedonisë. Shkupjani i ditëve tona vjen para nesh me një profesionalizëm të lartë. Disa nga pikturat e tij tashmë janë bërë subjekt për zbukurimin e kopertinave të librave të krijuesve tanë. Pse? Sepse Afrimi e ka përvetësuar sekretin e linjave, kontrastin e hijeve, shfrytëzimin e ngjyrave multikolore për të krijuar vlera me një madhështi të pavdekshme, për të kënaqur syrin dhe për joshur vëmendjen e dashamirëve të artit.   

Pason ajo që thamë më lart, femra dhe hijeshia e saj, inspirimi elementar i piktorit në fjalë: "Bukuria e një femre duhet të shihet në sytë e saj, sepse ato janë porta e zemrës, vendi ku banon dashuria." (A. Hepburn). E vërteta lakuriqe, e padhunuar me rrena, e paprekur nga tradhëtia, bëhet pjesëjetë e jona. Sepse vetëm ajo që është lakuriqe, ajo është e besueshme. Sepse vetëm e padhunuar, lakuriqësia e saj bëhet dhimbje plot dashuri, dridhje buzësh, ëndërr dite. Bëhet lot dhe bëhet gaz. (Afrim Shatku). Duke shijuar pikturat e bukura të këtij mjeshtri, na kujtohen vargjet e njërës na ato: „Mblidh të gjitha harresat që nxjerr nga xhepat/ Më lë pas veshit aromën e duhanit të sapondezuar/ Ti kërkoje emrin e një femre tjetër/ Pak e bukur/ Pak e uritur.” Ajo që e mbush me diell njerzinë, është femra. Bekimi më i bukur, ka thënë Jola Puci.  Afrim Shatku citon edhe Artan Mullajn, i cili femrën e konsideron: Nënë, Motër, Bashkëshorte, Bijë, Kunatë, Kolege, Mike, dhe shumë atribute tjera hyjnore. Femra shqiptare është trimëreshë dhe shpirtluaneshë. Ja pra motivet, arsyet, mendimet, ndikimet dhe frymëzimet e Afrim Shatkut për ta pasuruar botën shqiptare me piktura magjike! (Bukuresht, 20 Mars 2018).

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat