Avokati i njohur merr në mbrojtje pa pagesë rastin në Veternik

Lajme

Avokati i njohur merr në mbrojtje pa pagesë rastin në Veternik

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 06:48
Ridvan Beqiri, i cili para dy netësh vrau një person i cili kishte hyrë në pronën e tij për të vjedhur, në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës.

Ridvan Beqiri, i cili para dy netësh vrau një person i cili kishte hyrë në pronën e tij për të vjedhur, në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës, duhet të trajtohet si palë e dëmtuar. Kështu të paktën vlerëson avokati i tij, Besnik Berisha i cili tashmë edhe është bërë avokat pa pagesë i Beqirit,

Avokati Berisha në një prononcim ka bërë të ditur se ai është tashmë i angazhuar në këtë rast dhe se pret që sa më shpejtë të kapen edhe tre personat e tjerë të cilët ishin të përfshirë në vjedhjen e pronës së Beqirit.

“Po jam angazhuar në mbrojtje të z. Beqiri, i bindur se ai është viktimë e këtij rasti. Unë pres që z. Beqiri të trajtohet në cilësi të palës së dëmtuar nga fillimi e deri në fund të këtij procesi dhe po ashtu pres që të kapen dhe të sillen para drejtësisë edhe personat tjerë të involvuar në grabitjen që rezultoi me një të vrarë”, tha Berisha.

Avokati Berisha thotë se ky rast meriton vëmendjen e institucioneve të drejtësisë teksa shton se agresorët herët apo vonë duhet përgjigjur për veprimet e tyre.

“Ky rast meriton vëmendjen e institucioneve të drejtësisë dhe të gjitha institucioneve të sigurisë, në mënyrë që të përçohet mesazh i qartë për këdo se viktimat gëzojnë mbrojtje, ndërsa agresorët herët a vonë përgjigjen për veprimet e tyre, që nganjëherë mund të jetë dhe me jetën e tyre. Unë natyrisht se ndjej keqardhje për secilën jetë njeriu të humbur, e në veçanti në rrethana të tilla, por e keqja që i ishte kanosur z. Beqiri ishte e paprovokuar dhe mund të rezultonte me vdekjen e tij apo personave të tjerë të pafajshëm” shtoi tutje ai.

Image
Besnik Berisha

Tutje, Berisha thotë se kjo situatë duhet ndryshuar para se, sic thotë ai, të ketë edhe viktima të tjera.

“Kosova është shndërruar oazë për hajna të kalibrit të ndryshëm dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë para se të kemi edhe viktima të tjera”, përfundoi Berisha.

Ndryshe, natën e 27 nëntorit në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës katër persona të maskuar kishin hyrë në shtëpinë e Ridvan Beqirit. Nga një përleshje me armë zjarri në të cilën ishte përfshirë vet pronari i shtëpisë me grabitësit rezultoi me vdekjen e njërit prej grabitësve. Kurse, tre prej tyre deri më tani gjenden në arrati./Gazeta Blic

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat