Mali i Zi përsërit planin për t’u ofruar pasaporta investitorëve

Lajme

Mali i Zi përsërit planin për t’u ofruar pasaporta investitorëve

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Qeveria e Malit të Zi planifikon t’u ofrojë shtetësi investitorëve të huaj të cilët janë të gatshëm të investojnë në vend, sidomos në veriun e pazhvilluar.

Qeveria tha se po përgatiste një paketë “nënshtetësie ekonomike” të projektuar për investitorët e huaj dhe skema do të fillojë më 1 tetor.

Pasaportat malazeze do të jenë në dispozicion të investitorëve që investojnë 250.000 euro në rajonet e pazhvilluara në veri, ose 450.000 euro në rajonet e zhvilluara në qendër dhe në jug.

Numri i pasaportave të dhëna nëpërmjet këtij programi është i kufizuar në 2,000 të tilla në tre vitet e ardhshme. Qeveria do të vendosë një taksë deri në 100,000 euro për aplikim.

“Tarifa do t’i drejtohet një fondi të veçantë për zhvillimin e zonave të pazhvilluara”, njoftoi Qeveria.

Programi do të menaxhohet nga një agjenci e posaçme qeveritare që do të punësojë agjentë marketingu të para-miratuar.

Agjentët do të jenë përgjegjës për promovimin e programit dhe për tërheqjen e investitorëve të interesuar.

Ky program i ri është pjesë e një përpjekjeje për të tërhequr më shumë investime të huaja direkte, gjë e cila vitet e fundit ka rënë.

Falë kryesisht investimeve ruse, Mali i Zi regjistroi pothuajse miliarda euro investime të huaja direkte në vitin 2007, por kjo shifër filloi të binte në vitin 2010.

Kjo është hera e tretë që Mali i Zi ka nisur një ofertë “nënshtetësie ekonomike”. Në vitin 2010, qeveria njoftoi planet për shitjen e pasaportave për “biznesmenë të njohur me reputacion të besueshëm” nëse ata investonin të paktën gjysmë milioni euro.

Projekti u desh të pezullohej derisa masa të harmonizohej me rregulloret e Bashkimit Europian.

Në vitin 2015 u ngritën shqetësime në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien, kur qeveria zbuloi plane të reja për të shitur pasaporta për “biznesmenë të njohur me reputacion të besueshëm” nëse ata investonin të paktën gjysmë milioni euro në veri të vendit.

Vendimi më i fundit i Malit të Zi vjen pasi Moldavia filloi një nismë të ngjashme. Në shtator 2017, qeveria e saj miratoi rregullore të reja për dhënien e nënshtetësisë për të huajt që investojnë shuma të konsiderueshme në vend. Çdo i huaj që investon të paktën 250,000 euro për pesë vjet në pasuri të paluajtshme ose obligacione qeveritare ose jep hua së paku 100,000 euro në fondin e investimeve publike të vendit, ka të drejtë të marrë nënshtetësinë.

Në vitin 2012, Maqedonia gjithashtu i ofroi shtetësi kujtdo që investon të paktën 400,000 euro dhe punëson të paktën 10 persona.

Programe të ngjashme janë prezantuar nga Antigua dhe Barbuda, Grenada, Malta, Holanda dhe Spanja, duke i mundësuar nënshtetësi të drejtpërdrejtë me investime ose rrugë drejt nënshtetësisë për investitorë të pasur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat