Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini”, Hakif Zeqiri dhe prodekanja e re e zgjedhur nga vet ai, Lumnije Thaçi që është edhe Zonja e Parë e Kosovës, kanë dhënë deklarata komplet të ndryshme për emërimin e saj në këtë pozitë.
Dekani Zeqiri i kishte thënë Insajderit javën e kaluar, se e kishte emëruar Zonjën e Parë në postin e Prodekanes për Financa në këtë fakultet, për dy arsye.
E para ka të bëjë me faktin se prodekani aktual aty kryente dy detyra edhe prodekanin për mësim edhe për financa prandaj nevojitej edhe një prodekan. Ndërkaq, arsyeja e dytë kishte të bënte me faktin se Lumnije Thaçi e punësuar para një viti e gjysmë në këtë fakultet, ishte më pak e angazhuar në Fakultet.
“Ka qenë vend i lirë, nuk e kam pasur kënd me emërua sepse të gjithë e kanë pasur një post”, kishte thënë Zeqiri për Insajderin.
Por krejt tjera fjalë ka dhënë Zonja e Parë, në një intervistë për Kallxo.com.
Sipas saj, ajo e ka pranuar detyrën si një lloj sakrifice për Fakultetin ku punon.
“Ka qenë kërkesë e Dekanit pasi ka qenë vakante kjo pozitë për shkak të numrit të studentëve të shumtë. Kam qenë e detyruar, jo me pëlqimin tim, nuk e kam marrë me pëlqimin tim për shkak të angazhimit shumë të madh që e kemi me ligjërata mirëpo e kam parë të arsyeshme, pasi jam pjesë e stafit të jem e angazhuar edhe në këtë drejtim”, tha Thaçi.
Pozita e Prodekanit për Financa, sipas dekanit Hakif Zeqiri, ka qenë vakante që një vit e gjysmë, bash sa është koha prej se Lumnije Thaçi ka doktoruar në Universitetin e Tiranës në fushën e ekonomisë. Zonja e Parë kishte mbrojtur diplomën e doktoraturës në mars të vitit 2016.
“Ka qenë vend i lirë, nuk e kam pasur kënd me emëru sepse të gjithë e kanë pasur një post. Prodekani aktual, ka qenë vetëm për mësim por i ka kryer dy detyrat në një fakultet me 1 mijë e 450 studenta sa janë. Kështu që prodekani Qamil Kabashi është prodekan për mësim, ndërsa Lumnije Thaçi është për financa. Ajo është ekonomiste, është e pranuar para një viti e gjysmë në punë këtu”, kishte thënë Zeqiri për Insajderin.
Insajderi kishte raportuar në prill të vitit të kaluar për rrugëtimin e dyshimtë të Zonjës së Parë drejt Universitetit Publik, përkatësisht në Universitetin “Isa Boletini”.
Përpos pagës si profesoreshë që sipas Ligjit është mbi 1 mijë euro, Lumnije Thaçi tash si prodekane do të marrë plus 250 euro shtesë. /Insajderi.com