MKRS-ja me buxhet të rritur përreth 60%

Lajme

MKRS-ja me buxhet të rritur përreth 60%

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 17:29
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017 do të ketë një buxhet rreth 33 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, ku buxheti i ministrisë ishte rreth 20 milionë, këtë vit, ka një rritje të buxhetit përreth 60%.

Sipas MKRS-së, pjesa më e madhe e këtij buxheti është e planifikuar për shpenzimet kapitale. Vendin kryesor e zënë investimet në infrastrukturë rreth 21 milionë, ndërkaq 7 milionë euro janë planifikuar për subvencione.

“Sportit i është ndarë pjesa thelbësore e buxhetit, përreth 17 milionë euro, të kategorizuara për programet buxhetore Sportet e gjëra dhe Arritjet sportive. Ndërsa për fushën e Kulturës janë ndarë rreth tetë milionë euro, për programet: Përkrahja institucionale për kulturë; Përkrahja e kulturës dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Fusha e Trashëgimisë Kulturore për 2017-tën ka një buxhet prej rreth pesë milionë euro për kategoritë: Ruajtja, Mbrojta e Trashëgimisë Kulturore dhe Prezantimet dhe kërkimet për trashëgimi. Rinia ka një buxhet prej rreth dy milionë euro për programet: Mbrojtja dhe integrimi i rinisë; Zhvillimi dhe përkrahja e rinisë dhe Zhvillimi i Politikave Integruese. Pjesa e mbetur e buxhetit, pak mbi një milion euro janë për Shërbimet e Administratës. MKRS-ja e vlerëson se përmes këtij buxheti do të arrihen objektivat e parapara dhe do të realizohen shumë projekte kapitale dhe të natyrave t ë tjera në dobi të komuniteteve që merren me sport, kulturë, trashëgimi kulturore e rini por edhe në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, thuhet në një komunikatë të MKRS-së.

Rritja e buxhetit për MKRS-në dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe sportit të mbesin ndër prioritetet e Qeverisë. Gjithashtu, buxheti i sivjetmë mundëson që të realizohen politikat programore të planifikuara të ministrisë, por edhe e shton nevojën për përkushtim më të madh të të gjitha institucioneve të kulturës e trashëgimisë kulturore, të sportit e të rinisë, për një promovim, një paraqitje dhe një pjesëmarrje sa më cilësore të Kosovës përbrenda vendit, në rajon por edhe në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat