KDI angazhon 99 vëzhgues në Drenas

Lajme

KDI angazhon 99 vëzhgues në Drenas

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 17:00
Koordinatori i Sekretariatit të Demokracisë në Veprim, Albert Krasniqi

Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur sot detaje të reja për përgatitjet që kanë bërë për monitorim të zgjedhjeve për nesër në Komunën e Drenasit.

Koordinatori i Sekretariatit të Demokracisë në Veprim, Albert Krasniqi, sot bëri të ditur se rreth nëntëdhjetë e nëntë vëzhgues do të përkujdesen për monitorim të procesit zgjedhor në këtë komunë. Ai tregoi se i kanë përcjellur fushatat zgjedhore, të cilët sipas tij, kanë filluar shumë më herët dhe kjo ka ardhur në mungesë të sanksioneve ligjore.

Krasniqi: 99 vëzhgues në Drenas

“Në përgjithësi do të kemi 99 vëzhgues, të cilët në ditën e zgjedhjeve do të vendosen në Drenas. Po ashtu do të kemi ekipe mobile dhe zyrtarë të tjerë, të cilët do të përkujdesen për mbarëvajtjen e gjithë procesit të vëzhgimit. Që nga hapja e fushatës zgjedhore ne i kemi përcjell tubimet e kandidatëve të subjekteve politike, kemi përcjellur edhe takimet me grupet e interesit dhe vizitat në shtëpitë private. Përkundër që KQZ, ka përcaktuar një afat që duhet të zhvillohet fushata zgjedhore, kjo fushatë nga kandidatët ka nisur shumë më herët edhe ka ardhur për shkak të mungesës së sanksioneve ligjore, në rastet kur fushata zgjedhore nis më herët. Kjo gjë duhet të adresohet me reforma të ardhshme gjyqësore dhe të caktohen në mënyrë më rigoroze afatet dhe ndëshkimet, në rast se shkelën këto afate prej kandidatëve”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, KDI përmes kësaj konference tregoi edhe për parregullsitë që janë bërë gjatë fushatave parazgjedhore në Drenas. Milaim Morina, tha se janë shfrytëzuar fëmijët për të propaganduar për partitë politike edhe në të njëjtën kohë edhe resurset publike.

Morina: Përdorim i fëmijëve për propagandim

“Ajo që është vërejtur në këto ditë të fushatës parazgjedhore të partive politike dhe kandidatëve, të cilët garojnë për kryetar komune në Drenas, përgjithësisht fushatat kanë qenë të qeta, nuk ka pasur ndonjë tendencë ose ndonjë incident i madh që mundet me u përmend. Mirëpo, ajo që është vërejtur në këto, siç ka qenë edhe në fushatat të zgjedhjeve të kaluara, janë përdorur fëmijët, për të propaganduar për partitë politike të veshura me fanelle apo duke mbajtur flamuj të subjekteve publike, përdorim i resurseve publike, si veturave zyrtare, prani e madhe e shërbyesve civilë, prani e madhe e deputetëve, kabinetit qeveritar, pothuajse i gjithë kabineti qeveritarët ka qenë i pranishëm në këto aktivitete. Vendosja e materialeve propaganduese nga partitë politike dhe disa kandidatë nëpër objekte publike, siç janë shtyllat elektrike, ndriçuesit e qytetit, përdorimi i fjalorit ofendues nga kandidatë të caktuara" , tha ai. 

Demokracia në Veprim ka nisur dy ankesa në PZAP, të cilat presin të shqyrtohen, u tha në këtë konferencë. Ata vlerësuan punën e KQZ-së, përveç vendimit kur PZAP kishte vendosur të largojë dy kandidatë nga fletëvotimi edhe pse ata janë certifikuar për t’u përfshirë në të.

Nesër pritet të jenë katër komunikata për medie. Në orën 7:30 për vendvotime,  orën dymbëdhjetë, më pas në orën 16:00. Si dhe pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat