Ligji për Investime Strategjike, s’është në përputhje me direktivat e BE-së

Lajme

Ligji për Investime Strategjike, s’është në përputhje me direktivat e BE-së

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 16:08

Ligji për Investime Strategjike nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Kjo e fundit ka vlerësuar se pjesa e ligjit që ka të bëjë me çështjet si ambienti, ndihmat shtetërore, prokurimi publik dhe përfshirja e ndërmarrjeve shoqërore në këtë ligj nuk janë në përputhje me direktivat e BE-së, përderisa procedurat e caktuara për privatizimin e tyre tashmë ekzistojnë.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, përfaqësues të zyrës për informim të Komisionit Evropian në Prishtinë. Në përgjigjet e dërguara përmes postës elektronike ata kanë thënë se sa i përket Ligjit për Investime Strategjike, Zyra e BE-së ka pasur disa brenga përkitazi me përputhshmërinë e këtij ligji me legjislacionin e BE-së, më saktë pjesët që kishin të bëjnë me çështjet si ambienti, ndihmat shtetërore dhe prokurimi publik.

“Një tjetër çështje brengosësh është përfshirja e ndërmarrjeve shoqërore në këtë ligj, përderisa procedurat e caktuara për privatizimin e tyre tashmë ekzistojnë në kuadër të legjislacionit aktual. Ne e kuptojmë që Qeveria synon që të krijojë aranzhimet e nevojshme ligjore për t'i tërhequr investitorët e huaj dhe ne vazhdimisht e inkurajojmë qeverinë që të krijojë kushte optimale për bizneset dhe investitorët e huaj. Siguria më e mirà « për investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë, siç është theksuar nga shumica e tyre në shumë raste, është që të forcohet sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit dhe informalitetit. Me rëndësi është edhe niveli sa janë të kënaqur investitorët e huaj që tashmë janë të pranishëm në Kosovë dhe përvojat e tyre me mjedisin e biznesit këtu. Ne jemi të kënaqur që Qeveria tashmë ka marrë parasysh sugjerimet tona sa i përket vlerësimit të ndikimit mjedisor të investimeve strategjike, për ndihmën shtetërore dhe ka fshirë dispozitat që i jepnin këtij ligji epërsi ndaj ligjeve tjera. Ne jemi në kontakt me Qeverinë sa u përket çështjeve të mbetura", thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ndërsa këshilltarja e Hykmete Bajramit, ministrie e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Dibra, tha se MTI-ja ka pranuar komentet e BE-së dhe se ato janë përfshirë në draft ligj.

“Gjatë procedurës së konsultimit publik, draft Ligji pà «r Investime Strategjike është dërguar në konsultim publik tek të gjithë akterët e interesuar. Po ashtu, Koncept Dokumenti i cili është përgatitur dhe dërguar për komente sqaron arsyet pse Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të marrë këtë iniciativë për të promovuar dhe përkrahur investimet strategjike.Ministria ka marrë komente nga disa organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile duke përfshire edhe komentet e zyrës së BE-së. Shumica e këtyre komenteve janë përfshirë në draft ligjin për Investime Strategjike i cili është aprovuar nga Qeveria e Republikës se Kosovës”, tha Dibra përmes përgjigjeve elektronike.

Sipas saj, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar që ka edhe disa komente në projektligj, që sipas saj, ato janë mirëpritur nga MTI.

“ Ne i mirëpresim komentet e tyre dhe ato do të analizohen së bashku me komisionet parlamentare që janë duke e shqyrtuar projektligjin”, tha Dibra.

Ndërsa, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, tha se në Komision nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të BE-së për këtë ligj por thotë se në momentin kur t’i marrin ato, ata do t’i japin opinionet e tyre.

Grainca: Ka pasur dilema rreth kritereve të caktuara në projektligj

“ Unë nuk kam pasur rast me i parë komentet apo kërkesat që ka bërë BE-ja, përveç asaj që thoni ju. Në momentin kur t’i marrim ne do të kemi mundësi që si Komision t’i japim opinionin tonë dhe vlerësimet tona. ...Ligji për investimet ka ardhur në kuvend, ka kaluar në pjesën e parë të procedurës. Tani ai konformë procedurave të parlamentit do të kaloj edhe në mbledhjet e radhës. Në mënyrë që të hy në fuqi edhe kësisoj të kemi një tretman më të mirë ndaj investitorëve. Ka pasur dilema rreth kritereve që janë futur në atë ligj për të vlerësuar një bizne se se a është strategjikë apo jo. Por ne deputetët, disa nga ne kemi dhënë opinionet tona se kriteret janë të larta, duhet të jenë kriteret më të ultra dhe në fusha të caktuara për të pasur mundësi edhe për thithur sa më shuam investime të huaja”, tha Grainca.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se e kanë mirëpritur me disa rezerva dhe me skepticizëm nxjerrjen e një ligji të tillë, pasi është e rëndësishme që Qeveria t’i ketë duart e lira në negocimin me investitorë strategjikë, meqenëse se kjo çështje ka qenë problematike në të kaluarën. Sipas Zekës me ligjet aktuale gjithçka duhet të shkojë përmes ankandeve ose procedurave me ankand.

Sipas tij, disa investitorë serioz ose investitorë të mëdhenj nuk kanë pasur ndoshta interesimin që të kalojnë përmes procedurave të tilla.

Zeka: Qeveria t’i merr seriozisht vërejtjet e BE-së

“Ajo çka kemi kërkuar në atë skepticizmin tonë ka qenë që ligji të garantoj për transparencë të plotë dhe për llogaridhënie të plotë të Qeverisë në të gjitha fazat e negocimit me këta investitorë strategjikë. Sidomos kemi dashur që të ketë një kujdes më të madh që në asnjë mënyrë mos të përzihen dispozitat e ligjit për investime strategjike me dispozitat e tjera të prokurimit publik. Ose mos të ketë asnjë paqartësi në këto dispozita të tjera të cilat mund të ndërhynë në ligjin e prokurimit publik ose ligje të tjera. Ajo që po e shohim pakë me shqetësim janë edhe deklaratat e fundit se sërish ka një mos përshtatje si të them kështu të disa dispozitave të ligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian....Qeveria dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si sponzorizues të këtij ligji t’i marrë parasysh këto rekomandime të Komisionit Evropian, ashtu që të mund të krijojmë një ligj i cili do të jetë i zbatueshme dhe i cili nuk do të kontestohet nesër ose në fazat e mëtutjeshme të integrimit tonë euroatlantik”, tha Zeka.

Qeveria ka dërguar në Komision Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ligjin për Investime Strategjike, i cili ka kaluar në lexim të parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat