Qytetarët duan flamuj të Kosovës me 17 Shkurt, jo pankarta

Lajme

Qytetarët duan flamuj të Kosovës me 17 Shkurt, jo pankarta

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 10:12

Protesta e opozitës e paralajmëruar për 17 shkurt, pikërisht në ditën kur Kosova shënon 8 vjetorin e Pavarësisë dhe mungesa e simboleve shtetërore në kryeqytet po i brengosë qytetarët.

Disa prej tyre thanë për transmetuesin publik se populli ka sakrifikuar shumë për shtetin e pavarur të Kosovës, andaj sipas tyre në prag të 17 shkurtit i gjithë vendi do duhej të ishte i stolisur me flamuj. Ndaj kësaj dukurie ka reaguar edhe Iniciativa për Progres.

Sheshet e kryeqytetit në prag të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë, në vend të flamujve shtetërorë janë stolisur me pankarta, përmes të cilave u bëhet thirrje qytetarëve që të dalin në protestën e paralajmëruar nga opozita pikërisht më 17 shkurt.

Kjo po i brengosë kryeqytetasit pasiqë sipas tyre për këtë ditë u sakrifikuan shumë njerëz të brezave të ndryshëm dhe do të duhej që ajo të shënohet në mënyrën shumë më dinjitoze.

Ata thonë se vendosja e simboleve të shtetit të Kosovës e në veçanti i flamurit shtetëror në kryeqytet është e domosdoshme.

”Për shkatërrimin e shtetit është kjo protestë. Simbolet duhet me u vendosë ato gjithsesi se populli e kanë kërku këtë shtet, se jo që nuk e njohin partitë parlamentare edhe bajnë terror në Parlament. Ata nuk i donë këto simbole”.

”Po mendoj që nuk është e arsyeshme për festa bash me na i prishë po me festu në mënyrë të mirë, qysh na ka hije. Na tash e kemi shtetin tonë, na kena punu shumë edhe gjithçka kena ba me pasë shtetin tonë, simbolet tona. Na duhet me u identifiku me me këtë se kështu duhet me e çu shtetin tonë përpara me simbolet tona, me formu vetën kështu siç jemi”.

Mos dekorimin e kryeqytetit nga ana e Komunës së Prishtinës, Organizata Iniciativa për Progres e ka cilësuar si injorim të shtetit.

Menagjerja e projekteve në INPO, Albulena Nrecaj tha se Komuna e Prishtinës do të duhej që të luante rolin e saj karshi kompetencave që ka në mënyrë që të shënohet 17 shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës.

”Organizata INPO ka reaguar për mos gatishmërinë e Komunës së Prishtinës për të vendosur simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës me qëllim të shënimit të Ditës së Pavarësisë së vendit”.

Nrecaj tha se INPO ka marrë konfirmim nga ana e zëdhënëses së Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu se ata nuk do të organizojnë asnjë aktivitet festiv për nder të Ditës së Pavarësisë.

Nrecaj tha se kjo organizatë e ka ftuar kreun e komunës, Shpend Ahmeti që të mos shfrytëzohet situata politike për prishjen e festës.

”Kësisoj INPO e ka ftuar kryetarin, Shpend Ahmeti që të mos shfrytëzohet situata politike, ekonomike ose edhe situata e rëndë sociale në vend dhe në këtë mënyrë të mos shënohet 8 vjetori i pavarësimit të vendit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat