Ministri Çollaku , liderëve politikë: Shkoni në dialog te Presidentja

Lajme

Ministri Çollaku , liderëve politikë: Shkoni në dialog te Presidentja

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 20:14

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka këshilluar liderët politikë në vend që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidentes Jahjaga për dialog. Thotë se duhet përpjekur për normalitet në vend në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. “Prandaj, jepni fund kushtëzimit dhe hezitimit. Bëhuni të pathyeshëm në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Shkoni në dialog dhe filloni tani e mos prisni deri të hënën”, thotë Çollaku.
Shkrimi i plotë i Çollakut:

Nuk thyhet opozita, nuk thyhet pozita! Nuk përçahet opozita e bashkuar e aq më pak koalicioni i madh i bashkuar! Ky është mjerisht pak a shumë diskursi i gjykimit të disa liderëve politik ndaj ftesës së presidentes së vendit për takim të përbashkët të liderëve politik, në përpjekje për ta tejkaluar krizën politike aktuale, të imponuar nga partitë opozitare. Them i disa liderëve sepse është pozitive që tani më liderët e pozitës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim. Ndërsa me habit hezitimi i liderëve të opozitës që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Ndoshta janë duke i dëgjuar analizat dhe opsionet e këshilltarëve të tyre. Mirë ia bëjnë, le ti dëgjojnë. Por në fund të ditës llogaria politike për veprime të gabuara apo të mira shkon vetëm në adresë të liderëve. Një nga këto këshilla që liderët opozitarë janë duke marrë në këto çaste mund të jetë që pjesëmarrja në dialogun e përbashkët të kushtëzohet me diskutimin e një pike të vetme- shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Mirë boll, e çfarë pastaj? Një këshillë tjetër mund të jetë refuzimi i ftesës për dialog në mënyrë që të shmanget qoftë edhe një foto e përbashkët apo shtrëngim i duarve ndërmjet liderëve politik në vend. Dhe bëjnë mirë që mendojnë dhe i këshillojnë në mënyrë kaq negative sepse kështu e shuajnë çdo shpresë për mirëkuptim eventual ndërmjet liderëve. Kështu shuajnë shpresat dhe pritjet e qytetarëve në rast se ky është qëllimi i tyre. Unë besoj se këshilltarët në rast se ka të tillë, tani ose kurrë duhet të japin këshillën e duhur - dialog menjëherë dhe pa kushte.

Ndoshta nuk qëndron problemi fare tek këshillat por tek kokëfortësia e liderëve. Fundja, pse duhet që liderët të jenë racional dhe të bashkohen kur e kërkon interesi i vendit dhe qytetarët. Ata janë liderë dhe kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan. Kjo është natyrisht e pakuptimtë do të thoni ju. Ashtu, do them edhe unë. Por e rëndësishme është vetëm çfarë thonë liderët në këto çaste dhe jo ne të tjerët. E ne jemi në pritje dhe ankth derisa ata ta thonë fjalën e tyre.

Ndoshta i këshillojnë duke iu thënë se më shumë do të fitojnë respekt tek qytetarët (votuesit) duke refuzuar dialogun dhe në vend të tij të fokusohen në protestën e radhës e cila krejt rastësisht do të mbahet me 17 shkurt. E çfarë pastaj...kjo është një ditë e mirë sipas opozitës për të protestuar sepse për një pjesë të tyre asgjë nuk e veçon këtë ditë nga ditët tjera. Vërtetë për keqardhje.

Mund të vazhdojmë me këshilla të tilla krejtësisht irracionale sa të duam. Por duhet të vij një moment që të ndalemi. Ky moment ka ardhur. Liderët duhet ta kuptojnë se jo edhe shumë gjatë do të jenë në gjendje të kontrollojmë veprimet e protestuesve në protesta. Nëse dialogu shmanget tani dhe zëvendësohet me protesta të cilat edhe sikur të ndodh të jenë paqësore, përsëri shteti do të vazhdoj të zhytet në kaos edhe më të thellë.

Në rast se ndonjëri nga liderët nuk është ngopur nga kaosi dhe anarkia le të vazhdoj këtë lojë të rrezikshme deri në fund. Le të vazhdojnë ta sfidojnë shtetin e vet deri sa ta lodhin mirë. Por në rast, se janë lodhur nga kaosi dhe dhuna, në rast se e kanë kuptuar se Kosova megjithatë është vendi ku duam të rrisim fëmijët tanë, atëherë mos humbisni kohë. Mos dëgjoni askënd. Përveç zërit të arsyes që thërret për dialog të pakushtëzuar për të gjetur zgjidhjen për normalizimin e jetës dhe punës së institucioneve tona shtetërore.

Askush nuk do të turpërohet ose ligështohet nëse bën përpjekje për normalitet në këtë vend. Përkundrazi. Prandaj, jepni fund kushtëzimit dhe hezitimit. Bëhuni të pathyeshëm në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Shkoni në dialog dhe filloni tani e mos prisni deri të hënën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat