A mundet pushteti ta burgos të gjithë opozitën?

Lajme

A mundet pushteti ta burgos të gjithë opozitën?

Nga: Idriz Morina Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 14:02

Kosova po e vazhdon krizën e thellë. Sërish të hënën u hodh gazi lotsjellës, dhe situata për pak sa nuk u shndërrua në përleshje ndërmjet deputetëve dhe sigurimit, përkatësisht policisë civile në Kuvend.
Por, arrestimi i Albin Kurtit të shtunën, një lideri shpirtëror të një partie, pavarësisht sjelljeve jo korrekte në raport me Rregulloren e punës së Kuvendit, do të cilësohet arrestim politik. Në çdo shoqëri ku liderët opozitarë janë arrestuar, shteti apo pushteti ka nxjerrur njëmijë e një arsye për të kryer burgosje të opozitës, por që gjithmonë, pavarësisht burgut të gjatë që e kanë mbajtur janë cilësuar burgosje politike.
Edhe jehona e arrestimit të Kurtit, është vetëm çështje kohe që të cilësohet i burgosur politik. Kauza mbi të cilën ka vepruar Kurti dhe të tjetër është politike, andaj edhe veprimi i tyre, por edhe i shtetit është politik. As Albini dhe as sot Fisnik Ismaili, Haxhi Shala e Ismail Kurteshi nuk kanë vepruar për hise të babës, për tokën e tyre, fabrikat e tyre apo çfarëdo gjëje tjetër që mund të ketë interes personal një njeri, një deputet, një parti. Madje edhe duke i rrezikuar ato që i kanë.
Opozita tashmë me arrestimin e Kurtit dhe këto të fundit e ka dëshmuar se është këmbëngulëse dhe është në krye të realizimit të kauzave të saj. Derisa nuk thyhet kjo opozitë, ajo mund t’ia arrijë fitores, pavarësisht se shumë kujt nuk do ti pëlqej, apo as neve.
Rrugëtimet e interesave shqiptare dhe të politikës janë ndarë aq shumë, aq sa edhe vetvetiu vjen një kohë, një moment që duhet ti ndryshojë këto procese domosdoshmërisht.
Ne që me kohë kishim arsyetuar në mënyrë konsekuente, se kjo opozitë për çështjen e Gjykatës speciale është duke bashkëpunuar me njerëz të PDK-së dhe SHIK-ut, të cilët po duan ta përdorin opozitën për krijimin e krizës dhe thellimin e saj në vazhdimësi me qëllim shtyrjen e procesit të funksionalizimit të Gjykatës speciale.
Opozita po dëshmon se nuk është e gatshme të përdoret për interesa vetëm të atyre që mund të akuzohen nga Gjykata speciale. Dy kauzat kombëtare, kundërshtimi i Asociacionit dhe Demarkacionit, janë apologjia e tyre, e cila po i mbron gjithnjë e më shumë nga kualifikimet e tjera. Edhe opinioni atdhedashës po bëhet gjithnjë e më koshient për këto çështje, duke e parë se pushteti, përkatësisht liderët si Thaçi, nuk lodhen fare për fatin e vendit.
Përkundrazi ata janë në një trok me interesat serbe dhe të tjera, e për ato të shqiptarëve kurrë nuk ju bëhet vonë.
Të përjashtohet nga pjesëmarrja në Kuvend opozita, në kohën që i lejohet Listës Serbe, e cila është e përfshirë në çdo ç‘rregullim në veri, që nga shpërthimet e deri tek ndalimi i ministrave të Qeverisë së Kosovës që të udhëtojnë zyrtarisht në veri të vendit.
Aq shumë i është dhënë kohë, kësaj trupe fantazmagorike, sa që kanë filluar ta interpretojnë realitetin vetëm sipas qëllimeve të veta duke e shtrembëruar çdo ngjarje, çdo fakt, dhe vetë historinë.
Ata që kanë vrarë nuk janë më vrasës, ata që i kanë porositur vrasjet nuk janë më kupola e krimit të organizuar, por janë pacifistët, engjëllorët, mbrojtësit e jetëve tona, të sotmes tonë, dhe madje krijuesit e ardhmërisë sonë.
Në vend të arritjes së marrëveshjeve dhe pajtimit, po zgjedhet armiqësimi, këmbëngulja për një fat, ku shqiptarët mund të bëjnë pjesë vetëm si numër, por pa shpirtin e tyre, mijëravjeçarë, me një identitet të qartë në kohë.
Por, çështja tani më është edhe më delikate. Nëse opozita nuk dorëzohet, vendi është para dilemës, a mundet pushteti ta burgos të gjithë opozitën? Nëse ndodh kjo a do të ishte vendi ende një demokraci?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat