Rama pranon poshtërimin nga Vuçiqi! Kur për Kosovë e Shqipëri vendoset në Serbi

Lajme

Rama pranon poshtërimin nga Vuçiqi! Kur për Kosovë e Shqipëri vendoset në Serbi

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 11:22

Për fat të keq lajmet për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri po i marrim nga Serbia. Një prej lajmeve që po qarkullon, e të cilin ende kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e ka demantuar është se ky paska vendosur, që ta anulojë marrëveshjen me Hashim Thaçin, mikun e tij, njeriun e dytë në Qeveri të Kosovës, që ta shikojë së bashku ndeshjen me Serbinë, një lojë për jetë a vdekje për Shqipërinë, pasi me fitore shikon drejt Europës, pjesëmarrjen e parë në një kampionat të tillë.
Vendimi sipas asaj që thuhet është se Rama e mori pasi këtë ia kërkoi Vuçiqit. E ku lihet miku i ri serb për mikun e shpisë, shqiptarin. Miku i largët ka përparësi do të arsyetonim nëse i referohemi glosarit të mendimit të urtë shqiptar, asaj tradite, që po aq sa na ka shpëtuar, për aq duket edhe të na ketë shembur, për shkak të mungesës së dinamizmit të saj dhe mos përshtatjes së duhur me modernen.
Por, vendimi i Ramës sigurisht se nuk ka të bëjë me traditën, kanunin dhe kodin e miqësisë. Rama po i kthehet mallëngjimit serb, nostalgjisë së të majtës apo po i nënshtrohet rrjetit të shërbimit të inteligjencës serbe?!
Këto janë çështje që i kanë munduar shqiptarët dhe po vazhdojnë ti mundojnë tash e një shekull. Jo rrallë Serbia ia ka dalë ti blejë apo ti komprometojë në dhjetëra mënyra figura, që edhe sot njihen si historike, por dosjet e tyre kallxojnë kalbëzim neveritës, trishtues.
Ndërsa, në kohët moderne dosjet është edhe më lehtë të krijohen, veçmas në terrene si Shqipëria dhe Kosova, shtete të pakonstituara realisht, veçmas Kosova.
Enver Hoxha tashmë dihet katërçipërisht se ishte njeri që udhëhiqej dhe dominohej nga shërbimi jugosllav, po ashtu edhe struktura e mbijetuar e PS-së pas demokracisë. Në 25 vjet demokraci, për shkak të brishtësisë së shtetit shqiptar, shërbimi sekret serb ia ka dalë që të krijojë lidhje të reja, të krijojë kanale të reja, dhe të rifuqizohet, me gjithë faktin se Shqipëria po shkonte drejt një ndikimi në rritje perëndimor, ku normalisht prania dhe ndikimi serb do të shkonte drejt fundit, ashtu siç ndodh realisht me opinionin shqiptar. Por, tranzicioni i gjatë e ka lënë të papërfunduar këtë proces, dhe sot, kemi një Ramë tjetër nga ai që e pamë në Beograd, kur fitoi simpatinë e shqiptarëve në Kosovë, me sfidën e hapur që i bëri Vuçiqit.
Pra, ky nënshtrim i Ramës, në fakt i qeverisë së Shqipërisë ndaj Serbisë është një alarm për shqiptarët, se ku po i katandisin dy shtetet tona, qeveritë aktuale.
Thaçi do të duhej të ishte njeriu i fundit i padëshirueshëm nga Serbia, për shkak se ai i ka bërë shërbimet më të mëdhaja në të gjitha negociatat që nga Vjena dhe sot në Bruksel. Pse ndodh ky mohim dhe përbuzja ndaj Thaçit kaq flagrante? E para Serbia tregon se nuk i intereson rezultati i dhënë në një moment, por ai që duhet arritur më tej! Dhe mbi të gjitha dëshiron të poshtërojë Kosovën dhe shqiptarët! Të tregojë superioritetin serb në diplomaci, politikë, ekonomi dhe kudo.
Ky është poshtërimi që as Rama dhe as Thaçi nuk do të duhej ta pranonin dhe ta lejonin!
I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat