Lirak liroji të gjithë të burgosurit! Le të dihet, Kosova është parajsë për të burgosurit për krime të rënda!

Lajme

Lirak liroji të gjithë të burgosurit! Le të dihet, Kosova është parajsë për të burgosurit për krime të rënda!

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 10:36

E si të lirohet nga burgu i burgosuri më paqësor si Sabit Geci?! Ai jetonte në paqe të vërtetë dhe quhej zv.drejtor burgu, madje edhe gardianët e thirrnin me shumë kujdes në dhomën e tij të burgut, për të mos ia prish qetësinë, kur i trokisnin në derë, dhe madje ishin të ndrojtur se mos ‘shefi’ nuk kishte disponim, dhe pale se çfarë mund ti gjente gardianët!
Vetëm ata e dinë se çfarë kanë hequr deri më tash, po të paktën për tre muaj do të jenë edhe ata të lirë! Ky është një kusht barazie i jashtëzakonshëm, që Liraku si shpirt artisti, ka harruar ta përfshijë në veprën e tij më të re të artit të drejtësisë!
Edhe drejtori i burgut në Dubravë Emrush Thaçi, u lirua tri ditë para Sabit Gecit, edhe ai tani ndodhet në liri. Të gjithë janë të lirë, me gjasë edhe disa të burgosur, që nuk i pëlqenin Sabitit, mund të ndihen të lirë. “Rrno për me tregue” - At Zefë Valentini, vështirë do t’ia kishte arritur me përshkrue këtë soj lirie!
Po boll u ba. Nuk ka mujt me duru më as ministri Kuqi dhe as zëvendësi i tij Lirak Çela, që Sabit Geci të dilte ilegalisht nga burgu! Thjesht vetëm e kanë legalizuar, dhe vetëm për tre muaj!
Nuk i dihet, nëse i plotëson kushtet, mbase ia zgjasin edhe tre muaj, gjashtë muaj apo edhe disa vite lirinë, derisa, vuajtjet në burg, nuk do të kenë bërë më shumë se disa muaj, ani se gjykatësi që e ndëshkoi do të jetë djersitur, frikësuar, dhe mund të mos bëjë gjumë ende rehat, nga dënimi ‘i rëndë’ që ia ka shqiptuar!
Kështu një komandat lufte, i ‘munguar’ në këtë liri, po i kthehet Kosovës. Kush e di nashta lufton për mos me ia fal tokat Malit të Zi, pasi e ka ndjerë gjatë ‘vuajtjeve’ në burg, se diçka nuk shkoi mirë me luftën, e ka kuptuar, se nuk shkoi diçka mirë, pasi shokët e tij mbështetës nuk ranë në burg, përveç Samiut, se nuk u kuptua ende se si ia drodhën, por edhe ai ishte udhëheqës burgu në Dubravë, e në Gërdoc, nuk dihet ende nëse i ka marrë kompetencat apo ia ka dorëzuar drejtori!
Ndoshta është koha që të burgosurit të gjenden në liri, në këtë kohë trazimesh dhe vështirësish, aq më tepër që po paralajmërohen tronditje! Ndoshta këta janë ‘ilaçi më i mirë’ për ti përballuar ata që duan të na trondisin! Dikujt po i mungojnë Sabitat!
Ndoshta me këtë Kosova po e plotëson edhe një para-standard të shekullit të ardhshëm, që të burgosurit duhet të jetojnë të lirë!
Ne po ecim (vetëm ne në Kosovë) drejt një bote pa burgje, ky është shekulli i ri, për të cilin këndonte Migjeni, vaj, vaj....! I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat