Kroacia do të publikojë dosjet e spiunëve jugosllavë

Lajme

Kroacia do të publikojë dosjet e spiunëve jugosllavë

Më: 29 shtator 2015 Në ora: 09:40

Agjencia Kroate e Sigurisë u ka dhënë dokumente nga shërbimet sekrete jugosllave arkivave të shtetit që t’i japë publikut qasje të pjesshme në dosje të klasifikuara për herë të parë.

Agjencia Kroate e Sigurisë dhe Inteligjencës, SOA, tha të shtunën se ka dhënë dokumente sekrete të shërbimit, të krijuara në mes viteve 1937 dhe 1990 te arkivat e shtetit, të cilat do të lejojnë që të shihen nga publiku kroat për herë të parë nën disa kufizime.

Dokumentet vijnë nga Shërbimi Sekret Jugosllav, UDB, si dhe shërbimet sekrete të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të regjimit fashist të Luftës së Dytë Botërore, quajtur shteti i pavarur i Kroacisë, NDH.

SOA tha se dorëzimi ishte pjesë e përpjekjeve për të sjellë më afër punën e shërbimit me publikun kroat.

Agjencia gjithashtu tha se dëshiron të "ndjekë praktikën e shërbimeve në shtetet me traditë të gjatë demokratike", ku dokumentet deklasifikohen kur nuk ka nevojë që të mbahen më sekret.

Megjithatë, disa të dhëna do të mbeten konfidenciale dhe disa identitete të mbrojtura.

"Ky dokumentacion mund të jetë interesant. Për shembull, diku mund të gjeni se kush ka qenë një informator për policinë ... [ por ] jo çdo dokument do të ndryshojë njohuritë ekzistuese," tha për BIRN Tvrtko Jakovina , një historian në Universitetin e Zagrebit.

Jakovina tha se para se t’i jepet qasje publikut, dokumentet së pari duhet të përzgjidhen nga arkivistët.

"Por, pasi të bëhet kjo, sipas mendimit tim, ato do të jenë të hapur për të gjithë – për studiuesit, gazetarët, për publikun e gjerë", tha Jakovina.

Christian Axboe Nielsen, një profesor në Universitetin Arhus në Danimarkë, i cili ka hulumtuar shërbimin sekret dhe policinë jugosllave, tha se masa ishte një hap në drejtimin e duhur, por paralajmëroi se arkivistët mund të duan disa kohë për të përpunuar të gjithë materialin.

“Një përpunim i tillë mund të bëhet justifikim që të duhen shumë vite derisa kërkuesit të fitojnë qasje,” tha për BIRN Axboe Nielsen.

"Një problem tjetër është legjislacioni plotësisht i paqartë në Kroaci, në lidhje me përdorimin e një materiali të tillë. Prandaj, ekzistojnë rregulla për mbrojtjen e të dhënave personale që janë aq shtypëse dhe 'ngurta' ... të cilat janë një pengesë për sa i përket qasjes në dokumente", shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se shteti mund t’u kërkojë hulumtuesve të nënshkruajnë marrëveshje konfidenciale që të parandalojnë zbulimin e të dhënave të caktuara në publikimet e tyre.

Sllovenia gjithashtu hodhi online dokumente nga shërbimi sekret jugosllav vitin e shkuar. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat