Varoshi eliminon ujërat e zeza përmes kolektorit

Lajme

Varoshi eliminon ujërat e zeza përmes kolektorit

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 15:32

Banorët e fshatit Varosh të Ferizajt i janë gëzuar të martën fillimit të punimeve për vendosjen e kolektorit kryesor të ujërave të zeza, i cili përfundimisht eliminon kundërmimin e rëndë nga rrjedha e lumit Nerodime në këtë pjesë, që për dekada ka qenë edhe problem për banoret e kësaj zone.

Idriz Beqa, banor i Varoshit, thotë se me këtë projekt po i kthehet fshatit rrjedha e pastër e lumit Nerodime e cila me vite ka bartë ujërat e zeza të qytetit.

"Ka qenë një problem madhor për në, përfundimisht po shihet se me këtë projekt të komunës ujërave të zeza dhe kundërmimit të rëndë në këtë pjesë i ka ardhur fundi", thotë Idrizi.

Ky projekt me një gjatësi prej mbi 4 kilometra që parasheh vendosjen e kolektori nga ky fshat deri në hyrje të Ferizajt synon grumbullimin e pjesës më të madhe ujërave të zeza në një pikë. Drejtues të pushtetit lokal të Ferizaj e kanë vlerësuar këtë projekt duke thënë se është një projekt jetik që i ka munguar qytetit.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë me këtë rast se kjo fazë e projektit komunës do t'i kushtoj hiq më pak se 537 mijë euro.

"Ky projekt është tepër i rëndësishëm edhe për çështje eko logjike sepse mundëson pastrimin e njërës degë të Bifurkacionit të lumit Nerodime. Në ardhmen do të rregullohet më tërë infrastrukturën përcjellëse që nga shtrati i lumit dhe shëtitoreve për rreth, një ambient që do të shfrytëzohet nga qytetarët duke pasur parasysh mungesën e shëtitoreve, ngase Ferizaj siç dihet ka vetëm një shëtitore te Parku i Lirisë", ka thënë Svarqa, teksa ka përmendur edhe planifikimet që po bëhen për degën tjetër të Bifurkacionit.

"Me këtë dhe degën tjetër të bifurkacionit që shpije në drejtim të fshatrave, Talinoc, Muhoc, Sazli dhe Papaz, në kuadër të një projekti me një kosto në vlerë 2.5 milion euro dhe ky që është 2.1 milion euro, janë parashtruar kërkesat për investime për vitin e ardhshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), sigurisht presim që ndonjërin prej tyre ta përfshijmë në buxhetin e ardhshëm", ka thënë Svarqa, i cili me këtë rast pret edhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Ferizajt.

"Sigurisht që do t'i përmbushë synimet tona që Ferizajn ta shndërrojmë në një qytet ekuivalent ndaj Prishtinës dhe i cili do të jetë atraktiv dhe i dashur jo vetëm për jetë por edhe për zhvillimin e pjesës së rekreacionit dhe mbajtjes së shëndetit, i cili gjithnjë po rrezikohet në mungesë të aktiviteteve fizike dhe të mungesës së shtigjeve për këmbësor dhe biçikleta", potencoi Svarqa.

Ky projekt i nisur është dyvjeçar, ndërsa kjo fazë do të vazhdoi deri në fshatin Nikadin. Punënkryerësi është zotuar se punët do të përfundojnë sipas afatit të paraparë me kontratë.

"Është një projekt dyvjeçar, faza e parë me gjatësi 1 km do të vazhdoi deri në fshatin Nikadin dhe besoi se brenda periudhës 181 ditësh edhe do të përfundoi", ka thënë Fehmi Kransiqi nga ndërmarrja përfituese e projektit.

Për më tepër bëhet e ditur se komuna e Ferizajt është duke i shikuar mundësitë për sigurimin e fondeve edhe për pjesën tjetër të projektit, por edhe të dy projekteve tjera me rëndësi, siç është projekti për vendosjen e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe për ngritjen edhe të një fabrike të ujit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat