Kriza e eurozonës, vendet që u goditën më rëndë dhe ato që shpëtuan

Lajme

Kriza e eurozonës, vendet që u goditën më rëndë dhe ato që shpëtuan

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:23

Greqia është vendi që ka vuajtur më shumë nga kriza ekonomike dhe financiare botërore që filloi në vitin 2008, por edhe shumë vende të tjera kanë humbur gjithashtu. Databaza statistikore e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se ekonomia greke realizoi prodhim të brendshëm bruto për frymë prej 17 mijë eurosh në vitin 2014, nga 22 mijë euro që pati realizuar në vitin 2008. Me një rënie të PBB-së për frymë prej 24 për qind brenda gjashtë vitesh, Greqia konsiderohet si vendi i zhvilluar që ka përjetuar rënien më të rëndë ekonomike në kohë paqeje.

Qipro, ishulli i vogël pjesë e eurozonës, humbi gjithashtu gati 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto gjatë kësaj periudhe. PBB për frymë e Qipros qe gati 21 mijë euro në vitin 2008 dhe vetëm 16,800 euro në vitin 2014.

Italia ka humbur 10 për qind të prodhimit të vet bruto gjatë këtyre viteve ndërsa Hollanda ka humbur 4.5 për qind. Franca ka shpëtuar me një rënie minimale prej 1 për qind ndërsa Gjermania arriti të rrisë PBB-në e vet për frymë me 5 për qind gjatë të njëjtës periudhë.

Por kjo statistikë ndoshta nuk e shpreh të gjithë krizën. Statistikat e punësimit mund të ndihmojnë më shumë.

Në Greqi, në vitin 2008 kishte 4.6 milionë të punësuar ndërsa në vitin 2014, të punësuar qenë vetëm 3.5 milionë njerëz, nga një popullsi totale prej 10 milionë banorësh. Mesatarisht, çdo vit nga 2008 deri më 2014, 180 mijë njerëz kanë humbur vendin e punës për një total prej 1.1 milionë vendesh pune. Praktikisht, në çdo katër vetë që punonin në vitin 2008, njëri prej tyre e humbi vendin e punës gjatë krizës.

Krizë gjithashtu të rëndë në drejtim të punësimit ka pësuar edhe Portugalia. Nga 5.1 milionë portugezët që kishin një vend pune më 2008, afro 620 mijë prej tyre nuk e kanë më në vitin 2014.

Italia është goditur gjithashtu shumë rëndë nga kriza ekonomike por kjo nuk është pasqyruar në të njëjtën masë në tregun e punës. Ndërsa ekonomia e Italisë ka rënë me 10 për qind gjatë këtyre viteve, numri i njerëzve në marrëdhënie pune është ulur me 4.6 për qind. Në Itali kanë humbur afro 1.1 milionë vende pune. Në vitin 2014, 22.3 milionë italianë kishin një vend pune nga 23.4 milionë që qenë në vitin 2008.

Përkundër krizës së këtyre vendeve, në Gjermani, gjatë kësaj periudhe janë krijuar 2.2 milionë vende të reja pune. Këtu, norma e papunësisë, (punëkërkues si përqindje e forcës së punës) ka rënë nga 7.4 për qind që qe para krizës në më pak se 5 për qind në vitin 2014. Prodhimi i brendshëm bruto për frymë në Gjermani është rritur nga 31,871 euro që qe në vitin 2008 në 33,756 euro në vitin 2014. Vitin e kaluar ekonomia gjermane kishte gati 40 milionë vende pune.

Nga të 18 vendet anëtare të eurozonës, prodhimi i brendshëm bruto për frymë ka rënë në mënyrë të ndjeshme në nëntë prej tyre ndërsa ka njohur rritje në 5 raste.

BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat