Alfred Papuçiu: Urime nga zemra për 20 vjetorin e gazetës kombëtare “Bota Sot”

Lajme

Alfred Papuçiu: Urime nga zemra për 20 vjetorin e gazetës kombëtare “Bota Sot”

Më: 28 qershor 2015 Në ora: 10:12

Në këtë përvjetor të 20 vjetorit të gazetës “Bota Sot” kujtoj vitet e para qysh nga 1987 që unë u vendosa në Zvicër dhe në Gjenevën shumëkombëshe dhe çdo mëngjes lexoja shkrimet, komentet e saj me endje. Paanshmëria dhe sinqeriteti karakterizonin komentet dhe analizat e “Bota Sot”. Fillova edhe unë të shkruaja për përvojën time, si gazetar që në vitet e 70-ta në Shqipëri. U botuan njëra pas tjetrës Ditari dhe meditimet e mija nga përvoja si funksionar ndërkombëtar, për takimet me vëllezërit nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi në Nju Jork, por edhe në Gjenevë, si edhe në vendet e tjera të Europës apo gjetiu, ku unë merrja pjesë në mbledhjet e organizatave ndërkombëtare. Gjithmonë kam gjetur mirëkuptim tek stafi i përkushtuar gazetar i «Bota Sot», si dhe nga Zoti Mazrekaj, nga kryeredaktori Idriz Morina për meditimet, tregimet dhe skicat e mija, por edhe të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në Diasporë që i propozoja për botim redaksisë. Më kujtohen si sot manifestimet e shumta para Pallatit të Kombeve në Gjenevë, shkrimet që kam botuar për luftën e vendosur të vëllezërve kosovarë kundër regjimit të Milosheviçit, për Gjenevën multikulturore ku edhe shqiptarët, falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane kanë Universitetin e tyre popullor, por edhe shkollën shqipe, si edhe grupet kulturore. Një pjesë e meditimeve të mija nga Zvicra dhe nga jeta me organizatat ndërkombëtare kanë gjetur dritën e botimit fillimisht tek « Bota Sot » dhe pastaj janë botuar në librat e mij «Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara », «Nxënësja e etur e gjuhës romansë» etj. Nuk mund të harroj letrën e ngrohtë që kam marrë atëherë nga ish Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Micheline Calmy-Rey lidhur me shkrimet e mija të botuara, sidomos tek “Bota Sot” për Kosovën, si dhe për qëndrimet e guximshme të saj dhe në përgjithësi të Zvicrës në mbështetje të luftës për liri dhe pavarësi në Kosovë. Janë të shumta çastet prekëse kur hap pas hapi u fitua Pavarësia në Kosovë, kur u shtuan lidhjet midis saj dhe Shqipërisë, apo kur Kosova u njoh dhe vazhdon të njihet nga dhjetëra e dhjetëra shtete në botë. Dhe të gjitha këto çaste janë pasqyruar me dinjitet tek gazeta “Bota Sot”.
Nuk më mbetet tjetër, veçse t’i uroj stafit të gazetës “Bota Sot” ta mbajë penën e mprehtë si deri më sot dhe të festojë edhe 100 vjetorin e saj. Historia e botës së sotme, e sakrificave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, temat e saj politike, për ekonominë, kulturën, shkencën, diplomacinë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen tek “Bota Sot” që sidomos brezi i ri shqiptar që jeton në vend apo në Diasporë të mos harrojë të kaluarën e dhimbshme për të ecur përpara në konsolidimin e Kombit tonë që jeton në trojet e tij prej shekujsh dhe që ka dashur dhe do të rrojë në paqe e liri të vërtetë.

Alfred Papuçiu
Gazetar, shkrimtar, Anëtar i Federatës Ndërkombëtare
Të Talasemisë (TIF)
Gjenevë, më 27 qershor 2015

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat