“Bota Sot”, mbrojti vizionin shqiptar

Lajme

“Bota Sot”, mbrojti vizionin shqiptar

Më: 28 qershor 2015 Në ora: 10:00

Në 20 vjetorin e gazetës “Bota Sot”, shfrytëzoj rastin për të përshëndetur vëllazërisht botuesin dhe themeluesin e saj z. Mazrekaj dhe të gjithë drejtuesit, redaktorët, gazetarët, stafin teknik, të cilët për këto 20 vite kanë shkruar, punuar dhe informuar shqiptarët në Diasporë përmes kësaj gazete për tema të ndryshme dhe kanë qenë në vijë kombëtare. Një përshëndetje gjithashtu shkon dhe për mikun tim z. Idriz Morina, një nga drejtuesit kryesor të “Botës Sot” me të cilin tash një kohë të gjatë, pothuajse prej vitit 2012 kemi një bashkëpunim të shkëlqyer për një informim të drejtë dhe pa censurë me fokus çështjen shqiptare në Maqedoni.
Kur të gjitha gazetat, mediat dhe portalet në Kosovë dhe Maqedoni filluan të praktikojnë logjikën klienteliste të qeverive të korruptuara të Prishtinës dhe Shkupit, të heshtin për problemet e shqiptarëve në Maqedoni, të japin gjysëminformata në një linjë me të korruptuarit e dy regjimeve, gazeta “Bota Sot” hapi faqet e veta si një dritare e informimit të drejtë për shqiptarët e Maqedonisë, me theks të veçantë raportoi drejtë dhe e para për krizën e fundit në Maqedoni, duke mbrojtur vizionin shqiptar dhe rezistencën e djemve të UÇK-së, që u tradhtuan dhe u sulmuan prapashpine nga regjimi i Gruevskit dhe Ahmetit në Kumanovë.
Unë jam mirënjohës ndaj gazetës “Bota Sot” për kontributin e saj të madh në këto 20 vite, sidomos në afirmimin e vlerave shqiptare në Diasporë, por edhe duke prekur tema të nxehta brenda në vend, për të njohur të vërtetat e pashkruara të shqiptarëve, duke e konsideruar veten pjesë të saj në këtë përvjetor, që është në muajin e agjërimit, i uroj nga ndjenja e një agjëruesi suksese gjithnjë e më të mëdha duke e ruajtur frymën e saj kombëtare!
Me respekt,
Musa Lamallari – Tim Shkupi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat