Telegram urimi i Harry Bajraktarit, botuesit të gazetës

Lajme

Telegram urimi i Harry Bajraktarit, botuesit të gazetës

Më: 27 qershor 2015 Në ora: 20:11

I nderuari Mazrekaj dhe të nderuar anëtarë të redaksisë,

Ju sot po kremtoni një përvjetor të madh, njëzet vjetorin e themelimit të gazetës "Bota Sot", e cila gjatë kësaj periudhe të vështirë të shqiptarëve në Ballkan, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare dhe në të gjitha proceset që kaloi kombi ynë. Jam thellësisht i bindur se puna e juaj vetëmohuese, bashkë me stafin tuaj, ka kryer një detyrë të rëndësishme historike, duke informuar opinionin mbi të vërtetën shqiptare e në veçanti për Kosovën, në një kohë kur pushteti mizor i Serbisë u kishte vënë dryrin të gjitha institucioneve informative, të shkruara dhe televizive. Ju ishit ndër ata që shpërthyet këtë bllokadë famëkeqe serbe dhe po kontribuoni në ngritjen e vetëdijes për integrim dhe bashkim të shqiptarëve në Ballkan.

Në rrugëtimin e saj 20 vjeçar, "Bota Sot", u bë pjesë e historisë sonë dhe e të gjitha proceseve historike në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe të proceseve tjera demokratike në Kosovë, në Shqipëri dhe në gjithë botën shqiptare. Kjo e përditshme ishte dhe mbetet një tribunë e shtypit të lirë, e zhvillimit dhe e përforcimit të demokracisë, si procese të domosdoshme të integrimit të dy shteteve tona dhe të gjitha trojeve shqiptare gjithandej Ballkanit në Bashkësinë Evropiane.
Unë, si botues i gazetës "Illyria" në New York në vitet e ‘90-ta me ju dhe stafin tuaj nisëm një bashkëpunim të mbarë në drejtim të një platforme të përbashkët gjithëkombëtare. Ky bashkëpunim me ju vazhdon edhe sot në forma të ndryshme.
I nderuari z.Mazrekaj,
Me rastin e 20- vjetorit të themelimit të gazetës "Bot sot" juve dhe stafit tuaj ju uroj për punën e palodhshme që po bëni dhe afirmimin e kombit tonë.
Urime dhe suksese!

Harry Bajraktari
qershor, 2015

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat