20 Vjet mendësi shqiptare!

Lajme

20 Vjet mendësi shqiptare!

Më: 26 qershor 2015 Në ora: 11:54

Kontakti i parë me “Bota sot”, ishte si i një të eturi në një udhëtim të gjatë në shkretëtirë, që edhe në mos gjetë ujë, kërkon vetëm ti lag buzët, apo sikur malli i një jetimi që vuan për butësinë e një përdhelje të nënës, ta ndjejë thjesht prekjen e dorës.
Kjo mund të duket hiperbolizim, por pas thërmimit të njerëzve gjatë luftës, të shpërndarë në të katër anët e botës, kur po ende ishin duke u kthyer nuk dihej kush më se në çka besonte apo çfarë mendonte për ata që kundërshtonin deri në vrasje Rugovën dhe ata, që nuk donin t’ia dinin për imazhin gri që po e rrotullonin sipër kokave tona. Mediat që ekzistonin prej pak vitesh, ishin kthyer me ngulmim në ashpërsinë më të madhe ndaj Presidentit Rugova. Njeriut ndaj të cilit përgjëroheshin shqiptarët, siç e përshkruan pa ekuivokë në librin e tij ish ambasadori amerikan në Maqedoni Kris Hill, i përgjunjeshin si të ishte Mesia, nuk po lënin gjë pa hedhur duke u munduar ta paraqisnin si një njeri që kishte marrë fund si politikan. Si për të zhdavaritur këtë mjegullnajë dhe re të zeza mbi Kosovën, erdhi një media, thuaja po me atë rol si të Mesias Rugovë, tek i cili shihnin shpëtimin, për ta shpëtuar vetë Mesian.
Ky është perceptimi, por edhe shenja kryesore që e mbart “Bota sot”, veçmas nga viti 1999 e këndej. Ishte mediumi, që bëri bashkë të gjithë ne që ishim thërmuar në të katër anët e botës dhe të Kosovës, për të dëshmuar se ne ishim këtu, dhe se nuk kishim ndryshuar në bindjet tona. Ne e donim lirinë, paqen dhe demokracinë, po aq sa para luftës. Meritat e të tjerëve nuk do ti kontestonim ne, por kontestimin dhe shfrimin e urrejtjes për një ide, filozofi dhe mendësi shqiptare të mbjellur me aq fuqi nga Rugova.
E sot, të gjithë pajtoheni me këtë, edhe analistë, publicistë, intelektualë, që dje e kishin braktisur, dhe jo rrallë na kishin piketuar edhe neve të na godisnin, madje në mënyrë sistematike, se e drejta ishte në anën tonë, e njerëzishmja, shqiptarja.
Gazeta jonë dhe e juaja lexues të nderuar, që i përmbylli 20 vjet histori, ka krijuar referencën historike për të bëmat nacionale në përgjithësi dhe të djathtës në veçanti. Duke rrëzuar tezat e të majtës, që prej kohësh i trumbeton si të sajat të gjitha meritat nacionale, në tri kohë: përpara luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Pavarësisht fuqisë tepër të madhe të së majtës, që u reflektua gjatë luftës dhe reflektohet edhe sot, me para, pushtet dhe media, ajo nuk ia arriti që të përvetësonte për merita të saj, heroizmin e luftës, pavarësisht përpjekjeve për të lënë në harresë dhe margjina organizimet institucionale para luftës dhe gjatë luftës.
Pavarësisht gjithë atij agjitacioni marramendës, ku “Bota sot” u ndodh e vetme, përballë dhjetëra gazetave e revistave, televizioneve e radiove të majta, ajo ia arriti të mbijetojë dhe së bashku me këtë, t’i ndihmoj ruajtjes së dinjitetit të kombit, duke e përçuar të vërtetën drejt pafundësisë së kohës, arbitres së pavdekshme të njerëzores.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat