Nijazi Muhamedi: “Bota sot”, bashkudhëtare dhe bashkëprurëse e kësaj historie

Lajme

Nijazi Muhamedi: “Bota sot”, bashkudhëtare dhe bashkëprurëse e kësaj historie

Më: 26 qershor 2015 Në ora: 09:19

Në prag të kremtimit të përvjetorit të daljes së numrit të parë të së përditshmes “Bota Sot”, që përvjetor lidh në një kurorë historie dy dekada historie të saj, si lexues i pasionuar i saj ndër vite, tek e cila kam botuar edhe shkrime, më bie për hise që themeluesit të saj, stafit të saj drejtues, e në veçanti gazetareve dhe gazetarëve të saj, miq e shokë të penës, lexuesve të saj t’ua uroj këtë përvjetor. Me këtë rast, u bëj bëjë homazh me përulje dhe gazetarëve të saj të ndjerë, jeta dhe pena e të cilëve, e shuar nga dora e tinëzuar kundër lirisë së fjalës dhe kundër idesë së Pavarësisë së Kosovës, është një emblemë e madhnueshme në anën ballore të historisë së gazetës kombëtare “Bota Sot”.
Historia njëzetvjeçare e gazetës kombëtare “Bota Sot”, si histori e vazhduar e simotrës së saj parashikuese “Rilindja”, është histori e një gardiani të idesë së pavarësisë së Kosovës, histori e idesë, e zemrës dhe e veprimit të lëvizjes kombëtare për pavarësi të saj, histori e gjithë atyre që bartën këtë ide, këtë aspiratë dhe u bënë historiprurësit e saj. Duke e shoqëruar dhe mbrojtur këtë histori, “Bota Sot”, me ravën e daljes së saj njëzetvjeçare që e hapi në historinë e gazetarisë shqiptare, në këtë përvjetor të saj vjen të nderohet si gazetë e një misioni kombëtar që i dha forcë qëndresës, që i dha forcë idesë së pavarësisë, në themelet e së cilës kjo gazetë vuri po ashtu sakrificën, mundin, dijen dhe guximin për të thënë dhe për të mbrojtur të vërtetën e kësaj historie.
“Bota sot”, si bashkudhëtare dhe bashkëprurëse e kësaj historie, këtë përvjetor e shënon në një kontekst historik tjetër prej atij kur doli numri i parë i saj, dhe në një kontekst medial të ri dhe pluralist pas Pavarësisë dhe me këtë hyn në një periodë evolutive, e cila e vë këtë gazetë para sfidave të reja, për ta bërë të denjë në konkurrencën mediale, por mbi të gjitha për t’i dhënë forcë idesë së saj që të vazhdojë misionin e saj të zgjedhur kombëtarisht në peizazhin medial të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat