Zogaj: Gazeta “Bota sot”, kaloi shumë sfida, por ishte më e lexuara

Lajme

Zogaj: Gazeta “Bota sot”, kaloi shumë sfida, por ishte më e lexuara

Më: 26 qershor 2015 Në ora: 09:06

Pas ish-gazetës "Rilindja" që është themeltarja e gazetarisë së mirëfilltë dhe të plotëkuptimtë në historikun e Kosovës, nuk ka dyshim se gazeta "Bota sot" meriton të shquhet dhe të vlerësohet me respekt për manifestin e saj të fuqishëm të pikëpamjeve dhe kontributin konkret në fushën e informimit, të afirmimit të qenies dhe të aspiratave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo në botë, me të cilët udhëtoi gjatë periudhës së kaluar 20-vjeçare të botimit të saj.

Fakti që "Bota sot" ka dalur në skenë në kohën më të rëndë të okupimit dhe iu ka kundërvënë fuqishëm mbisundimit të regjimit të Millosheviqit, i cili me akuza të gënjeshtërta, shpifje dhe mashtrime përpara botës po përpiqej të ngulfatëse shqiptarët, është dëshmia më e mirë e misionit të shenjtë dhe rolit të jashtëzakonshëm të gazetës “Bota sot” për njohjen e së vërtetës për Kosovën dhe demaskimin e barbarisë së okupatorit serb. Në këtë plan kontributi i gazetës "Bota sot" ka qenë vërtetë tepër i madh dhe, kësaj gazete i takon faqja e nderit të përhershëm në historikun e gazetarisë shqiptare.

Duke qene se, pas luftës, kam pasur nderin që në "Bota sot" për një kohë të jem redaktori i kulturës, jam dëshmitari i aspiratës së pastër atdhetare që, kjo gazetë është përpjekur ta jetësojë në të gjitha shkrimet e saja, duke pasur objektiv të vetëm të vërtetë dhe vetëm të vërtetën, përmes qasjeve të angazhuara hulumtimeve të fakteve. Fjala dhe mendimi i lirë i bazuar në fakte dhe gjithmonë në dobi për prosperitetin e merituar kombëtar, ka qenë kodi obligativ i politikës redaktuese dhe, kjo ka bërë që, "Bota sot" të ishte nga më të lexuarat dhe, edhe në kushtet tepër të rënda ekonomike të pasluftës, të arrinte tirazhin e mbi 30 mijë ekzemplarëve në ditë, duke mposhtur propagandën e kuluareve mafioze, të grupeve kriminale dhe të rrjeteve agjenturore, të cilat duke ia pasur frikën së vërtetës që e shprehte "Bota sot" përpiqeshin ta etiketonin duke e quajtur "Bota sot", ndonëse kjo propagandë e elementëve të paguar kriminalë, i ka shkaktuar pasoja të shumta stafit të gazetës: që ka përjetuar presione kërcënime të shumta, me ekseseve gjatë shpërndarjes së gazetës, e deri edhe tek vrasjet e gazetarëve, Bekim Kastratit e Bardhyl Ajetit, që janë martirët e fjalës së lirë.

Mirëpo, "Bota sot" nuk është ndalur. Ka ecur dhe ka dhënë kontribut të madhe edhe në nxitjen, përkrahjen dhe armimin e vlerave kulturore, artistike, arsimore dhe të traditës së gjithmbarshme popullore shqiptare, me qëllimin e ruajtjes së identitet kombëtar, që është kryevlera e përhershme e çdo populli që pretendon civilizim dhe prosperitet të mirëfilltë historik. Kjo ka qenë rruga 20 vjeçare e gazetës "Bota sot" së cilës i urojmë që e këtillë të jetë edhe në 120-vjetor, e pse jo, edhe në 1200 vjetorin e saj. Botuesi i gazetës mund ta ketë barrën të rëndë aktualisht, sepse gazetaria po zhvillohet në kushte e rrethana ende tepër të pavolitshme, mirëpo, nuk guxojnë ta harrojnë se, vlen të sakrifikojnë gjithçka që "Bota sot" të vazhdojë misionin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat