Nuk mund ta pranonim dështimin para asnjë furie!

Lajme

Nuk mund ta pranonim dështimin para asnjë furie!

Nga: Nga Xhevdet Mazrekaj Më: 26 qershor 2015 Në ora: 09:01

Jemi të nderuar me prezencën tuaj, dhe për një moment edhe ne duam të kujtojmë të kaluarën tonë, ndoshta të provojmë për një çast të shlodhemi nga vuajtjet e punës së përditshme të pandërprerë, por veç vuajtjes e mundimit, sot me ju duam të ndajmë edhe atë pjesë të kënaqësisë që të jep, kjo ecje e përditshme, çast pas çasti, orë pas ore, ditë pas dite... për të arritur vit pas viti, dhe ja sot ndodhemi në ditëlindjen tonë të 20.

Numër i vogël, ecje e shkurtër për kulturat perëndimore, për mediat tona simotra, që kanë bërë shekuj, por për ne, për një jetë njeriu, vërtetë janë shumë, 20 vjet të gazetës “Bota sot”, të cilën unë e themelova me ndihmën e shumë miqve të mi, të cilët sot nuk janë fatkeqësisht me ne, shumica prej të cilëve tashmë edhe kanë ndërruar jetë, sikurse miku im i paharrueshëm, njeriu i jashtëzakonshëm, energjik, dhe njëri prej penave më brilante të publicistikës shqiptare, ideologu Teki Dervishi.

Por, si ndodhi që unë t’i hyja botës së mediave, me të cilat nuk ishte se njihesha shumë, përveç si lexues dhe kundrues i rolit të tyre këtu në perëndimin aq shumë të aspiruar nga ne shqiptarët.
Isha i mahnitur nga tregimet dhe suksesi i mediave perëndimore, por më shumë se nga ato, ishte i papranueshëm pozicioni inferior i shqiptarëve, imazhi gri me të cilin paraqiteshin shqiptarët (në media), ishte ndikimi i propagandës serbe, relacioneve të fuqishme diplomatike që kishin dhe ndikimit në media apo faktorë të tjerë, të cilët ndoshta s’arrijmë dot ti kuptojmë përballë kulturave të tjera.
Por, ishte ajo ndjesi, që s’më linte të qetë, unë doja një zgjidhje për këtë, ndoshta ishte një ide që prej kohësh kisha filluar ta stisja, por nuk e kisha menduar seriozisht, deri në vitin 1995, 20 vjet më parë, kur mora vendimin definitiv, ta bëjmë hapin e parë, me shpresë se sado pak do të ndikonim në proceset shqiptare, pa menduar për rivalët dhe sfidat që mund të prodhonte hyrja në botën e mediave, që rëndom quhet si pushteti i katërt.
Ne thjeshtë do të këmbëngulnim në arritjen e suksesit, nuk mund ta pranonim të dështonim.
Para së gjithash nuk do të pranonim të tërhiqeshim në asnjë sfidë, qoftë edhe duke pranuar një luftë fyta - fyt me propagandën serbe.

Qëllimi kryesor ishte që nëpërmjet gazetës të afirmohej dhe lartësohej mendësia shqiptare. Sfida shkonte edhe më përtej, qëllimit nacional, ndihmës për çështjen e Kosovës.
Por, në atë kohë ende nuk besonin shumë nga miqtë e mi të atëhershëm dhe të sotëm, se ishte e mundur të botohej një gazetë e pavarur, jashtë kontrollit, ndikimit apo levave të shtetit.

Ishte vendim i guximshëm apo jo, mund ta vlerësoni ju lexues të nderuar. Fillimi ishte jo vetëm i vështirë, por tepër drithëronjës, financiarisht po ecnim buzë bankrotit, pavarësisht që rritja e lexueshmërisë po vazhdonte çdo ditë. Pas një viti “Bota sot”, tashmë ishte në zemrën e diasporës, fillimisht të asaj ku ishte më e përqendruar në Gjermani, ku edhe sot vazhdojmë të jemi më mirë se kudo, por ngadalë dhe sigurt po pushtonim zemrat e lexuesve, zemrën shqiptare në të katër anët e botës, nga Zvicra në Amerikë.

Tirazhet e “Bota sot” në vitet në vijim ishin të jashtëzakonshme, më mbresëlënësi ishte ai në vitet tragjike të luftës, kur tirazhi mbi 100 mijë copa, boshatisej që në mëngjes, askush se gjente në mesditë gjithandej. Ishte e habitshme se si kur kishte informacione më të veçanta, si ato për betejën e Koshares dhe të tjera, përpihej gazeta, thjesht zhdukej nga tregu.

Nga këtu e gati 20 vjet më parë, pa bërë askund reklamë, është e habitshme se si lajmi e merrte dhenë, ndërkohë që s’kishte as rrjete sociale – fb, tëiter etj., apo portale që ta shpërndanin lajmin se çfarë lajmi kishim atë ditë në gazetë, pra paradoksalisht kthehej në lajm, vetë informata se çfarë kishte në gazetë!

Ndërsa, sot po ngjet e kundërta, rritja e shpejtësisë dhe mundësive të shpërndarjes së informacioneve, po e vret pak nga pak median e shtypur. Po e shtyp gjer në tronditje, madje asfiksi, duke i detyruar shumë prej tyre të mbyllen apo të reduktohen skajshëmërisht, jo vetëm tek ne, por në gjithë botën. Këtë po e ndjejmë të gjithë. Por, ky 20 vjeçar i yni, këto dy dekada jetë plot frymëzim e përkushtim, mos të mbetet si një homazh për mediat e shtypura, por një mesazh për opinionin, por edhe institucionet që të kthejnë vëmendjen kah ne, sepse ne jemi këtu, të gjallë dhe të fuqishëm për të ndërmarrë çdo gjë në hap me kohën, dhe për të sfiduar çdo gjë, për ta çuar së bashku më tej jetën tonë, mediumin e printuar.

“Bota sot” që nga dita e daljes e deri më sot ka qenë dhe ka mbetur media e pavarur, pa pranuar të hyjë në varësi të askujt, dhe as për të ndërtuar platforma goditjeje apo bashkëpunimi me qëllim të përfitimit të një partie, të një grupi apo klani. Ajo ka ndjekur brengën dhe shqetësimin e opinionit.
Fatkeqësisht në rrugën e mundimshme për të shkruar, dokumentuar dhe artikuluar të vërtetën, jo rrallë jemi goditur, madje me aq fuqi sa kishin, por sot ata kundërshtarë i shohim se po goditen nga të gjithë, madje edhe nga vetvetja. Pengesa kryesore për ta ishte konsistenca në rrugën kombëtare dhe djathtizmi që përfaqësonim dhe vazhdojmë ta përfaqësojmë.

Ishim të parët që shkruanim për vrasjet politike të atdhetarëve shqiptarë gjatë dhe pas luftës, duke hulumtuar për zbardhjen e tyre, sfidë para së cilës ndodhemi edhe sot, dhe nuk mund të mos bëjmë thirrje që ato të zbardhen, sepse ia kemi për borxh edhe brezave që do të vijnë, edhe familjarëve të viktimave, por edhe sepse ne vetë ishim viktimë, u vra bashkëpunëtori ynë Enver Maloku, bashkëpunëtori ynë dhe këshilltari i presidentit Rugova Xhemail Mustafa, gazetarët dhe redaktorët tonë Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti… Keni pyetur, pse vetëm gazetarët e “Botës sot” vriteshin?!

Pse kërcënoheshin, rrezikoheshin aq shumë! Edhe unë dhe stafi im në Zvicër ishim cak i një sulmi me bombë..., që fatmirësisht vetëm një Zot, e ndaloi të shpërthente për të vrarë e gjymtuar të gjithë ata, që atë ditë ishim në zyrat e redaksisë! Ishte aq perfid, sa edhe policia zvicerane se kuptoi kurrë kush e dërgoi bombën! Madje kërcënimet vrastare s’kanë marrë fund as tani, për çdo vit!
Por, pavarësisht të gjithave, ne jemi këtu, me ju sot dhe mot, për të pritur dhe gëzuar edhe shumë përvjetor të tjerë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat