​Dëshmitarja: Djali m’u vra me urdhër të Delibashiqit

Lajme

​Dëshmitarja: Djali m’u vra me urdhër të Delibashiqit

Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:53

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti ka vazhduar të hënën gjykimi kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve tjerë, të dyshuar për krime ndaj popullatës shqiptare natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës.

Dëshmitarja Samile Ajeti, të cilës natën kritike i është vrarë djali, Nderim Ajeti, dhe i ishin plagosur bashkëshorti dhe vajza, Nexhmedin dhe Rrezarta Ajeti, ka rrëfyer para trupit gjykues tmerrin që kishte përjetuar për orë të tëra gjatë asaj nate.
Sipas saj, mbrëmjen e 3 shkurtit rreth orës 21:30 janë dëgjuar zhurma të një grupi të madh njerëzish të tubuar para ndërtesës ku jetonte ajo.

Pak më vonë, shtoi ajo, disa njerëz kanë shtënë me armë zjarri në derën e tyre, por nuk kanë arritur ta thyejnë.

“Është dëgjuar një zë mashkulli në serbishte, Nexho (pseudonim i emrit të bashkëshortit të saj v.j.) po të thërret Delibashiqi poshtë, ndërsa bashkëshorti iu përgjigj, nëse i duhem i thuaj të vie tek unë nalt. Dhe nuk kanë kaluar pak sekonda është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, e dera e banesës u thye, ndërsa Nexhmedini është plagosur në këmbën e majtë nga ky shpërthim”, ka sqaruar Ajeti.

Ajo tha se pastaj ka filluar hedhja e granatave nga dera e hyrjes, por edhe nga ballkoni, si pasojë e të cilave kanë filluar të digjen mobilet në banesë, dhe po thuajse të gjitha dhomat janë mbushur përplotë me tym.

Ajeti ka theksuar se pas shpërthimit të këtyre granatave, ka vërejtur se i janë plagosur vajza dhe djali, dhe është përpjekur gjatë gjithë kohës t’u ndihmojë fëmijëve të saj.

“Ka shkuar tollovi dhe ka ndodhë një tmerr i vërtetë atë natë. Kanë hyrë brenda më shumë se 10 persona të cilët na kanë sharë e ofenduar të gjithëve pa dallim dhe i kanë këputur telat e telefonit në banesë. E tërë kjo ka zgjatur më shumë se katër orë deri sa ka arritur KFOR-i për të na evakuuar”, ka thënë mes tjerash Ajeti.

Sipas saj, ata të ndihmuar nga KFOR-i kanë dalë nga ndërtesa me koka të mbuluara me batanie, por prapë se prapë, deri sa kanë hyrë nëpër automjetet e blinduara, janë gjuajtur me gurrë nga turma e njerëzve.

“Të plagosurit i kanë dërguar në spitalin marokien që ndodhej në jug të qytetit, nga i cili Rrezarta ka dal e gjallë por jo edhe Nderimi”, tha Ajeti.

Në lidhje me të akuzuarit, dëshmitarja bëri të ditur se i njeh të gjithë por që asnjërin nga ta nuk e ka parë natën kritike, mbase para trupit gjykues tha “unëdyshoj në Delibashiqin dhe se gjithçka atë natë ka ndodhë me urdhër të tij, sepse akoma e kam të freskët bisedën tek dera kur një zë mashkulli e thirrte bashkëshortin tim, duke i thënë se po e kërkon Delibashiqi poshtë”.

Avokati i të akuzuarit, Dragolub Delibashiq, Mirolub Bërklaq, tha për KosovaPress se asgjë e veçantë nuk ka ndodhur prej herave tjera sa i përket dëshmitarëve.

Sipas tij, dëshmitarja e sotme nuk ka thënë asgjë të re dhe se ai nuk ka arsye të mos jetë i kënaqur me ecurinë e deritashme të seancave gjyqësore.

Bërklaq: Apostrofimi i klientit tim nuk nënkupton absolutisht asgjë

“Apostrofimi i klientit tim nga dëshmitarja e sotme, por edhe nga disa dëshmitarë tjerë, nuk do të thotë absolutisht asgjë, sepse secili, po e potencoj, çdokush ka mundur të vij tek dera e banesës së Nexhmedin Ajetit dhe t’i thotë atij, apo dikujt prej anëtarëve të familjes, dilni poshtë po iu pret Delibashiqi. Është e vërtetë se Delibashiq ka qenë në atë kohë në një pozitë të caktuar, mirëpo dikush që ka ardhur tek dera dhe që ka dëshur ta nxjerr dikë jashtë, ka ndoshta një interes të caktuar për ta përmendur ndonjë emër me ndikim, vetëm sa për të arritur qëllimin e tij dhe për ta nxjerr jashtë dikë, dhe në këtë rast ka përmendur emrin e njërit prej kolegëve të dikurshëm të tij, dhe se ka qenë logjike që dikush të thotë diçka të tillë, mirëpo kjo nuk është kurrfarë dëshmie”, ka thënë Bërklaq.

Në anën tjetër, edhe avokati i Oliver Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq, u shpreh të jetë i kënaqur me seancën e sotme, duke thënë se ky është dëshmitari i 23-të i cili nuk e përmend fare klientin e tij.

Vllajiq: Ivanoviq s’ka asnjë lidhje me ngjarjet

“Këta dëshmitarë vetëm sa po e konfirmojnë atë që ne e kemi thënë që nga fillimi, se Oliver Ivanoviq nuk ka asnjë lidhje dhe as që mund të ketë, me ngjarjet për të cilat po flasim”, theksoi Vllajiq.

Ndryshe, seanca e radhës u caktua më 5 maj kur para trupit gjykues do të dëshmojë Perveza Abrashi, ndërsa të njëjtën ditë u tha se do të caktohet nëse Shemsi, Vjosa dhe Agon Ajeti, të cilët ndodhen aktualisht në Suedi, do të japin dëshminë e tyre përmes video linkut, apo do të detyrohen të vinë në gjykatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat