​Kuçi dhe Çuçi pajtohen për fuqizim të rendit dhe ligjit në të dyja shtetet

Lajme

​Kuçi dhe Çuçi pajtohen për fuqizim të rendit dhe ligjit në të dyja shtetet

Më: 24 prill 2015 Në ora: 17:37

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur në takim ministrin për Çështje Vendore të Shqipërisë, Bledi Çuçi, i cili shoqërohej nga deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Bashkim Fino.

Gjatë këtij takimi u diskutua për pikat e përbashkëta të përkushtimit të dy shteteve Kosovë – Shqipëri, për fuqizimin e rendit dhe ligjit, ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit, si dhe bashkëpunimin në fusha të caktuara, si në legjislacion, ashtu edhe në shkëmbimin e të dhënave mes noterëve, bartjen e evidencave dhe arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta në kuadër të iniciativave rajonale dhe globale.

“Si dy shtete jemi duke angazhuar dhe përkushtuar për rend dhe ligj, për integrim evropian si dhe integrim të përbashkët rajonal. Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri, i ndihmon tërë rajonit, por në veçanti, i ndihmon popullit tonë pranë integrimeve rajonale dhe si rezultat rajoni duhet ta ketë shembull këtë bashkëpunim”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi gjithashtu ka theksuar që është e nevojshme edhe inkurajimi i punës së përbashkët mes prokurorëve të Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me investigimin dhe adresimin e krimeve kibernetike dhe atyre financiare.

Në anën tjetër, Ministri Çuçi, ka vlerësuar angazhimet e përbashkëta, në veçanti në luftën kundër korrupsionit si dhe në intensifikimin e bashkëpunimit në mes të pushteteve vendore të këtyre dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat