Shpallen të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e Enver Zymberit

Lajme

Shpallen të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e Enver Zymberit

Më: 20 prill 2015 Në ora: 16:49

Në gjykatën në veri të Mitrovicës sot janë shpallur të pafajshëm Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e policit Enver Zymberi.

Aktakuza kundër Radovan Radiqit dhe Millovan Vllaskoviqit i kishte shtatë pika.

Për tri pikat e para, vrasje të rëndë, vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje ata u shpallën të pafajshëm.

Vendim të njëjtë gjykata mori edhe për pikën e katërt që kishte të bënte me rrezikim të sigurisë së përgjithshme, për të pestën që lidhej me pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe për rrezikim komunikacioni që ishte pika e gjashtë e aktakuzës.

Të pafajshëm Radiq e Vllaskoviq u shpallën edhe për pikën e shtatë-pjesëmarrje në grupin që kryen vepër penale.

Të enjten dhanë fjalën përfundimtare avokatët e këtyre dy të akuzuarve-Zhivojin Jokanoviq dhe Xhelal Hasani.

Jokanoviq në këtë proces gjyqësor mbron Radovan Radiqin, ndërsa Hasani Millovan Vllaskoviqin.

Të akuzuar lidhur me vrasjen e Enver Zymberit në një gjykim tjetër janë edhe Sllobodan Sovrlliq dhe Radomir Kasalloviq.

Dy persona tjerë po për këtë vrasje janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat