Musliu:Transformimi i FSK-së në ushtri, çështje e brendshme e Kosovës

Lajme

Musliu:Transformimi i FSK-së në ushtri, çështje e brendshme e Kosovës

Nga: Valbona Mazreku Më: 29 janar 2015 Në ora: 10:59

Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ganimete Musliu, tha për “Bota sot” se insitucionete vendit do të tejkalojnë edhe sfidën e transofrmimit të FSK-së në ushtri, ashtu sikur tejkaluan me sukses edhe transformimin e TMK-së në FSK. Sipas saj, kërkesat e Beogradit zyrtar, çoftë edhe përmes përfaqësuesve serb në qeverinë e Kosovës, janë vetëm për përfitime politike, për të mbajtur afër elektoratin e tyre. Por një gjë është e sigurt, sipas Musliut, se çështja e FSK apo ushtrisë së ardhshme të Kosovës është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës, dhe si e tillë duhet parë nga të gjithë.

“Kosova tashmë po i mbushë 7 vjet të shpalljes së Pavarësisë dhe të gjitha proceset në të cilat ka kaluar kanë qenë shumë sfiduese, por jo të pa arritshme dhe të pa realizueshme, prandaj çdo proces që ndodhë është normale ti ketë sfidat e veta siç i kishte sfidat edhe transformimi i TMK-së në FSK por që arriti një sukses të madh që sot të jetë institucioni më i besueshëm në vend. Sa i përket kërkesës së Beogradit mund të them se politika zyrtare e Beogradit e ka e kaptuar mirëfilli realitetin e ri në Kosovë por ende mundohet që për një pjesë të elektoratit të saj të përdor të vetmen kartë të mbetur, propagandën dhe deklaratat boshe, prandaj ne edhe si institucione edhe si qytetar të Republikës së Kosovës duhet të jemi të matur dhe mos ti instrumentalizojmë deklaratë që mund ti pengojnë apo zvarrisin çështjet e rëndësishme për shtetin tonë. Duke u mbështetur në të arriturat e FSK-së dhe mbështetjen ndërkombëtare besoj që ky do të jetë një vit i mbarë për FSK-në dhe vit i cili do të përfundoj transformimin e FSK-së në ushtri. Pavarësisht emrit besoj që nuk do të ketë pengesa në Kuvend. FSK është çështje e brendshme e Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyj në çështje të brendshme të cilit do shtet e as të Kosovës”,tha Musliu.

Ajo tha se edhe në këtë proces me rëndësi për Kosovën, është e mirëpritur asistenca ndërkombëtare.

‘Çdo këshillë dhe bashkëpunim që do të ndihmonte në avancimin e dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së nga bashkësia ndërkombëtare është e mirëpritur dhe e mirëseardhur por për këtë çështje jo që nuk duhet por nuk ka nevojë të diskutohet në Bruksel. Mendoj që në Bruksel kemi tema tjera për të cilat duhet diskutuar siç është respektimi i të drejtave të qytetarëve të Preshevës, Medvexhës e Bujanofcit të cilët duhet të kenë trajtim dhe të drejta të barabarta më serbët që jetojnë në Kosovë”, tha për “Bota sot” anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ganimete Musliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat