Greqia, një thirrje mes agonisë, drejtuar Europës

Lajme

Greqia, një thirrje mes agonisë, drejtuar Europës

Nga: The New York Times Më: 27 janar 2015 Në ora: 23:36

Mesazhi i zgjedhjeve të të dielës në Greqi ishte i qartë: grekët nuk munden dhe nuk do të vazhdojnë t’i binden regjimit të masave të shtrëngimit që e ka gjunjëzuar ekonominë e tyre. Ishte një mesazh që gjermanët dhe europianët e tjerë, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin që Greqia të paguajë borxhin e saj të madh, duhet ta dëgjojnë. Këmbëngulja në kursin e tyre dogmatik është jo vetëm e gabuar për Greqinë, por edhe e rrezikshme për të gjithë Bashkimin Europian.
Eshtë shumë herët për të parashikuar se si Alexis Tsiprasi, politikani rebel, partia e të cilit Syriza fitoi 36.3% të votës popullore dhe pothuajse siguroi një shumicë të plotë në Parlament, ka ndërmend të përmbushë premtimet që u ka bërë votuesve, për braktisjen e programit të shtrëngimit financiar ndërkohë që njëkohësisht të reduktojë borxhin dhe të qëndrojë brenda Euros.
Këta objektiva janë në thelb të papajtueshëm, por Kryeministri i ri u ka dhënë sinjale europianëve se është i gatshëm të zbusë ambiciet e tij, sapo të jetë ulur në karrike. Eshtë thelbësore që Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila shihet nga grekët si krye-arkitektja e programit të kursimit, si dhe “trojka” e përbërë nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të demonstrojnë një gatishmëri të ngjashme për të zvogëluar disi përmasat dhe kushtet e barrës së borxhit të Greqisë.
Disa kreditorë me siguri do të mendojnë që borxhi është borxh dhe duhet të paguhet i plotë dhe se grekët “meritojnë” ndëshkim për historinë e tyre të shpenzimeve pa hesap dhe zakonin e shmangies së taksave. Por, tkurrja e një ekonomie me një të katërtën dhe nxjerrja pa punë e më shumë se gjysmës së të rinjve – politika që Tsiprasi i ka krahasuar me torturat e Guantanamos – nuk është rruga e duhur për t’i bërë të mundur një vendi që të shlyejë borxhet. Greqia ka nevojë për hapësirë frymëmarrjeje, jo vetëm për t’i dhënë Tsiprasit një shans për të marrë kthesën, por edhe për hir të pjesës tjetër të Europës.
Greqia mund të jetë e veçantë për përmasën e barrës së borxhit, që tani është sa 177% e GDP-së, dhe problemet e saj sistemikë janë të thellë. Por grekët nuk janë të vetmit që ndajnë ndjenja armiqësimi dhe zemërimi për krizën ekonomike që u përhap në shumë prej vendeve më të varfër të Bashkimit Europian, dhe Syriza nuk është aspak partia më radikale nga ato që janë forcuar së fundmi në të gjithë Europën, si reagim ndaj krizës. Nëse Greqia shtyhet deri në skaje dhe detyrohet që të shpallë mospagimin e borxheve, apo edhe të braktisë Euron, pasojat ekonomike do të përhapeshin në të gjithë Europën. Politikisht, një dalje e Greqisë do të hidhte poshtë supozimin se, një herë që futesh në Euro nuk del më prej, dhe do ta destabilizonte më shumë Europën. Dhe me siguri do t’i hidhte benzinë zjarrit të ndjenjave anti BE që ka shkaktuar edhe fuqizimin e partive të ekstremit të djathtë.
Sigurisht, Tsiprasi duhet ta përdorë mandatin e tij popullor për të çuar përpara reformat themelore të brendshme që kishte filluar paraardhësi i tij, Antonis Samaras. I duhet dhënë fund mospagimit të taksave nga elitat e kamura, ashtu sikurse dhe korrupsionit dhe nepotizmit në qeverisje. Kundërshtimi i programit të shtrëngimit financiar nuk nënkupton braktisje të reformave, siç kanë shkruajtur kohët e fundit një grup ekonomistësh të spikatur tek Financial Times.
Por, nuk ka shumë kohë. Programi aktual i shpëtimit të Greqisë skadon në 28 shkurt. Udhëheqësit e Bashkimit Europian – mes tyre edhe Tsiprasi – do të mblidhen në Bruksel në 12 shkurt. Një shpallje e zgjatjes së programit në këtë takim për disa muaj, do të ishte një sinjal i mirë se europianët e kanë dëgjuar thirrjen e grekëve dhe po përgatiten për të qenë më të ndjeshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat