Hyseni do të raportojë në Komision për gjendjen e sigurisë në vend

Lajme

Hyseni do të raportojë në Komision për gjendjen e sigurisë në vend

Më: 26 janar 2015 Në ora: 23:00

Komisioni parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës ka ftuar ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, që bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, javën e ardhshme, të raportojnë para anëtarëve të këtij trupi lidhur me gjendjen e sigurisë në vend, sikurse edhe për zhvillimet përkitazi me protestën e së shtunës së kaluar, të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje dhe shoqata “Thirrjet e nënave”.

Kërkesa për dëgjim është adresuar nga dy anëtarët e Komisionit, Zafir Berisha, deputet i grupit parlamentar Nisma, dhe nga deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, të cilët kanë kërkuar vetëm praninë e ministrit Hyseni.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Hungari, ka konfirmuar për KTV-në se t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së komisionit për të raportuar.

Kryetari i këtij Komisioni, Daut Haradinaj, ka pohuar se shqetësimet e deputetëve janë të arsyeshme dhe se u takon organeve kompetente që t’i japin sqarimet e duhura.

“Krahas ministrit duhet me qenë edhe shefi i Policisë, për shkak se ai është i terrenit dhe është më i informuar”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, dëgjimi i këtyre dy zyrtarëve do të zhvillohet të hënën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat