Ahmeti: Durimi i qytetarëve ka kufi

Lajme

Ahmeti: Durimi i qytetarëve ka kufi

Më: 26 janar 2015 Në ora: 17:09

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se një numër shumë i madh i qytetarëve në komunën që ai udhëheq po kërkojnë certifikata me fotografi, të cilat përdoren për udhëtim në Serbi, e pastaj pretendohet se ikin drejtë Hungarisë për të kërkuar azil.

Për një kërkesë të tillë Ahmeti thotë se qytetarët duhet të jenë në hall të madh kur marrin vendim braktisjen e Kosovës, shtatë vjetë pas pavarësimit të saj.

Sipas tij, ky nuk është rezultat i një qeverisje njëmujore, por e 15 vjetëve, e cila, sipas vlerësimit të tij, u vazhdua edhe më keq me qeverisjen e re.

Ahmeti ka thënë se nuk mund të vazhdohet më me agjendë të përcaktuar nga Vuçiqi. Për këtë ai ka konfirmuar se nesër përsëri do t’i bashkohet protestës si qytetar:

“Sot ishte diskutimi për arratisjen e të rinjve nga Kosova. Unë mund vetëm të konfirmoj se numri më i madh i kërkesave në ofiqari vazhdojnë të jenë për certifikata me fotografi, të cilat përdoren për udhëtim nëpër Serbi e sigurisht pastaj maleve për në Hungari. Qytetarët janë në hall të madh teksa e marrin këtë vendim në Kosovë, shtatë vite pas shpalljes së pavarësisë.

Kjo nuk është rezultat i një qeverisjeje njëmujore, por një mënyre të qeverisjes për 15 vite me radhë e që si mënyrë u konfirmua, u vazhdua edhe më keq me qeverisjen e re. Protesta është shprehje e pakënaqësisë, e mospajtimit me politikat qeverisëse. Nuk mund të vazhdohet me agjendë të përcaktuar nga Vuçiqi në Beograd. Nuk mund të vazhdohet me faljen e pasurisë kombëtare. E posaçërisht nuk mund të vazhdohet me shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve të Republikës.

Pa marrë parasysh cilit subjekt i takon, e pa marrë parasysh cilës organizatë i takon, apo ndoshta thjeshtë po mendon se duhet shprehur qëndrimin tënd, është me rëndësi me e shpreh këtë qëndrim, jo vetëm për këtë qeveri apo këta politikanë, por të gjithë politikanëve të ju tregohet se durimi i qytetarëve ka kufi" ka shkruar Ahmeti, duke ftuar në fund qytetarët që të dalin në protestë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat