KDI përkrahë protestën për shprehjen e vullnetit qytetar

Lajme

KDI përkrahë protestën për shprehjen e vullnetit qytetar

Më: 23 janar 2015 Në ora: 19:06

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se e sheh të arsyeshme protestën e thirrur me 24 janar në Prishtinë nga partitë opozitare në vend.

Partitë politike kanë të drejtë që të ushtrojnë vullnetin e tyre, jashtë parlamentit dhe përmes mekanizmave tjerë të cilat i mundëson dhe i garanton vlera e demokracisë.
“Situata e krijuar së fundi rreth Trepçës si edhe deklarata e pamatur e Ministrit për Kthim, Jabllanoviç ka nxitur reagim qytetar për dinjitetin e tyre dhe për integritetin e shtetit të Kosovës.
Ndërmarrja Trepça dhe revitalizimi i saj, që nga paslufta dhe në vazhdimësi është injoruar nga të gjitha
qeveritë. Pas sponsorizimit dhe tërheqjes së ligjit për Ndërmarrje Publike në Kuvend, deklarimeve të
Qeverisë së Serbisë për pronësi mbi këtë gjigant si dhe spekulimeve mbi borxhet marramendëse të kësaj ndërmarrje, Qeveria e Kosovës me improvizimet e saj shkaktoi paqartësi për gjendjen e Trepçës duke provokuar kështu me të drejtë reaksion qytetar gjithandej”, thuhet në njoftim.
Më pas në njoftim thuhet se Qeveria e Kosovës, përmes një ligji të veçantë duhet të sigurojë të gjithë qytetarët e Kosovës që kjo pasuria e Kosovës të mos bëhet temë e dialogut me Serbinë, do të zgjidh kontestet me aksionarët e pretenduar dhe do të shndërrohet në ndërmarrje publike profitabile me prosperitet për vendin. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës duhet të mbajë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës të gjithë zyrtarët e saj për deklaratat dhe prononcimet që nxisin urrejtje dhe provokime etnike.
Qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të shprehin publikisht vullnetin e tyre për zhvillimet në vend, sidoqoftë KDI bën thirrje që protestat qytetare të jenë të qeta, ndërsa partitë opozitare të adresojnë vullnetin e protestuesve në Parlament dhe institucione qeveritare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat