Kandidati i papranuar për mësimdhënës propozon dëshmitarët (Video)

Lajme

Kandidati i papranuar për mësimdhënës propozon dëshmitarët (Video)

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 10:17

Blerim Bajrami që paditi Komunën e Suharekës për shkak të mospranimit si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Profesionale të Shirokës, duke kërkuar anulimin e konkursit ku u refuzua, propozoi sot në gjykatore dëshmitarët e tij.
Ai kërkoi dëshminë e anëtarëve të komisionit intervistues, pasi sipas tij ata shkelën procedurat.

“Për mosrespektim të procedurës dhe për vlerësim arbitrar”, tregoi Bajrami arsyen e propozimit si dëshmitarë të zyrtarëve që nuk e pranuan në punë.

Ai tha se kuptimit të së vërtetës për hallin e tij do t’i ndihmonin edhe dëshmitë e kandidatëve që si ai nuk u pranuan si mësimdhënës.

“Unë mendoj që [dëshmia e kandidatëve] kish kontribuuar në vërtetimin e drejtësisë se çka kanë pyetur komisioni. Nuk e di sa do të merret për bazë vetëm ajo se çka do të them unë, pasi unë jam paditës në këtë rast dhe ndoshta deklarata ime do të merret pak me rezervë”, tha Bajrami.

Avokati i komunës Seljadin Golopeni kundërshtoi të dy propozimet duke thënë se vlerësimi i kandidatëve për mësimdhënës ishte i drejtë.

“Konsiderojmë se vlerësimi nga ky panel është bërë i barabartë për të gjithë kandidatet konkurrues“, tha Gollopeni.

Gjykata vendosi të refuzojë kërkesën e paditësit për dëshminë e kandidatëve tjerë të papranuar si mësimdhënës, ndërsa e aprovoi propozimin që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet një anëtar i panelit intervistues.

Blerim Bajrami kishte konkurruar në konkursin e fundit për mësimdhënës për lëndët e Juridikut, në shkollën e mesme profesionale në Shirokë të Suharekës.

Ai ishte thirrur edhe në listën e ngushtë për intervistë, por nuk ishte pranuar, pasi sipas komisionit, kushtet i kishte plotësuar kundërkandidatja e tij që ishte me kualifikim të njëjtë.

Pasi që kishte marrë përgjigje negative nga komisioni, Bajrami bëri padi në Gjykatën Themelore të Prizrenit-Degën në Suharekë, me kërkesë për anulimin e konkursit.

Paditësi do të ballafaqohet prapë me Komunën e Suharekës me 19 dhjetor, kur në cilësinë e dëshmitarit, do të dëgjohet anëtari i panelit intervistues, Ukë Thaçi. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat