Në Prishtinë do të hapet panairi “Blej shqip”

Lajme

Në Prishtinë do të hapet panairi “Blej shqip”

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:26

Zyrtarë të komunës së Prishtinës, thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që produktet shqiptare të promovohen sa më mirë. Ky panair ndihmon prodhuesin dhe ekonominë vendore.

Nesër dhe pasnesër përgjatë hapësirës së tri shesheve të kryeqytetit “Zahir Pajaziti”, “Nëna Tereza” dhe “ Skënderbe” , do të hapet panairi i produkteve “Blej Shqip”. Ky panair do të sjellë në Prishtinë për herë të parë prodhues nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë këtu edhe prodhues shqiptarë nga Maqedonia, nga Lugina e Preshevës dhe nga Shqipëria. Kjo është organizuar në kuadër të festës së Flamurit, 28 nëntor, thotë për Radio Kosovën nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu. Ai thotë se ky panair ka në vete edhe aktivitet të tjera.

“Promovimi i produkteve shqiptare dhe vetëdijesimi i gjithëmbarshëm i kombit tonë që të konsumojmë sa më shumë produkte tona, në mënyrë që parat që shpenzohen në konsum të mos dalin prej ekonomisë tonë në ekonomi tjera, por të ndihmojnë prodhuesin dhe ekonominë vendore, rrjedhimisht edhe punësim në trojet e banuara me shqiptarë. Përveç kësaj është e organizuar edhe një tryezë e përbashkët me prodhuesit shqiptarë, që mbahet në hotelin Grand”.

Sejdiu më tutje shpalos edhe programin për festën e Flamurit, duke thënë se gjatë gjithë ditës nuk do të mungojnë as aktivitetet kulturore.

“Nga ora 15 pasdite deri në 18 , do të ketë rok grupe të reja, ndërsa nga ora 20 do të jetë koncerti në të cilin do të perfomojnë rok grupe të njohura për vendin nga trevat shqiptare si Offchestra, Pinkmetal, Bloody Foreigners, Bojken Lako e të tjera. Nga ora 11 do të jetë këndi i fëmijëve, pra do të ketë një varietet të temave: program arti, panairi vendor, tema ku do të diskutohen këto çështje sa më të mirë rreth prodhuesve shqiptarë, tryezë në të cilën do të diskutohet për politikat edhe nacionale por edhe lokale me stimulim të produkteve vendore”.

Sejdiu tha se e vetmja mënyrë për zhvillim ekonomik është duke e ndihmuar industrializimin e vendit dhe duke krijuar sa më shumë prodhues vendor. Sejdiu tha se ky panairi i produkteve vendore synon të jetë i përvitshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat