Serbët: Droni u ngrit nga Ismail Morina e Olsi Rama

Lajme

Serbët: Droni u ngrit nga Ismail Morina e Olsi Rama

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 14:14

Serbët mendojnë se Droni fluturës mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit është bërë nga Ismail Morina dhe vëllai i kryeministrit shqiptar Olsi Rama.
E përditshmja serbe “Kurir” duke ju referuar burimeve të policisë serbe shkruan se autori i aktit është Ismail Morina, ndërkohë që nuk rresht së përfshiri në skenar edhe vëllanë e kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

“Kurir” shkruan se Morina, 32-vjeçar që merret me alpinizëm dhe ngjitje në shkëmbinj, është futur në Serbi në datën 11 tetor, me një makinë me targa italiane, dhe ka zënë vend në një hotel pranë stadiumit Partizan, duke përdorur një kartë identiteti italiane.

Sipas “Kurir”, Morina menjëherë pas ndeshjes është larguar nga Serbia, por policia këtë fundjavë ka siguruar provat duke i kërkuar Interpolit arrestimin e tij.

Ndërkohë, kjo e përditshme serbe pretendon se ka prova që Morina njihej prej kohësh me vëllanë e kryeministrit shqiptar, Olsi Rama dhe që të dy kanë programuar deri në detaje planin për të futur dronin në stadium.

Raportohet se Morina ka nisur dronin e telekomanduar nga kupola e një kishe, ndërsa me futjen e dronit në stadium komanda është marrë nga Olsi Rama, me shumë mundësi nëpërmjet një programi që ka qenë i instaluar që më parë në aparatin e telefonit të tij iPhone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat