Zhbogar zotohet për të adresuar problemet e sektorit privat para qeverisë së re

Lajme

Zhbogar zotohet për të adresuar problemet e sektorit privat para qeverisë së re

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 15:50

"Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në realizimin e agjendës së saj për integrim në BE, si dhe në përmirësimin e ambientit afarist i cili karakterizohet nga një sërë problemesh që duhet të adresohen më tej në mënyrë që Kosova të jetë në hap me vendet e rajonit. Përveç implementimit të politikave së BE-së, zyra e BE-së në Kosovë është duke adresuar vazhdimisht sfidat e sektorit privat duke ndihmuar për të luftuar korrupsionin dhe ekonominë joformale, si dhe duke siguruar mbështetje konkrete financiare dhe qasje më të lehtë në financa për bizneset.” Këto ishin pikat kryesore të nxjerra në Mëngjesin për Ekzekutiv me z. Samuel Žbogar, Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së, ku nikoqire ishte kompania anëtare PTK.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i OEAK, theksoi rëndësinë e fuqizimit të një ambienti më të mirë afarist dhe fuqizimin e sektorit privat në Kosovë duke harmonizuar legjislacionin e Kosovës me liget e BE-së. Ai gjithashtu shtoi se ekzistenca e një strategjie të qartë për zhvillim, si dhe zbatimi i plotë i reformave dhe standardeve të BE-së do ta promovojnë Kosovën në sytë e investitorëve të huaj dhe vendor.

Z. Samuel Žbogar, i cili ishte i ftuari i veçantë në këtë mëngjes, përmendi dy nga proceset e mëdha që pritet të kenë një ndikim të madh në ekonominë e Kosovës. Së pari, MSA-ja, që pritet të nënshkruhet gjatë vitit të ardhshëm, do t'i mundësojë Kosovës që të krijojë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë dypalëshe me BE-në dhe paraqet një moment të rëndësishëm në integrimin e mëtejshëm të Kosovës. Së dyti, procesi i liberalizimit të vizave i cili do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen dhe mundësitë e të bërit biznes. Për më tepër ai theksoi rëndësinë e qeverisjes ekonomike dhe të sundimit të ligjit, si e vetmja mënyrë për të bërë Kosovën një ambient atraktiv për të bërë biznes.

Përfaqësues të biznesit, të cilët morën pjesë në këtë takim, ngritën shqetësimet e tyre ndaj politikave jo të favorshme fiskale dhe qasjes në financa. Në këtë drejtim, z. Žhbogar theksoi se zyra e tij është duke punuar ngushtë me BERZH-in dhe BEI-in të cilat kanë krijuar programe për kredi të buta për të mbështetur investimet në projekte të ndryshme. Shqetësime të tjera që janë ngritur nga bizneset kanë qenë në lidhje me ngarkesat e vizave dhe vonesave në formimin e qeverisë së re, e cila ka lënë shumë projekte në pritje, prej të cilave më i rëndësishmi mbetet projekti ‘Kosova e Re’ që do të mundësonte furnizimin stabil me energji elektrike.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e OEAK patën mundësi të ndajnë përvojat e tyre dhe të adresojnë probleme të ndryshme të cilat janë mirëpritur nga z. Žhbogar, i cili inkurajoi përfaqësuesit e biznesit të vazhdojë të ofrojnë komente e propozime që do të jenë thelbësore në përgatitjen e një strategjie kombëtare për zhvillimin ekonomik së bashku me qeverinë e re të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat