Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur “i zhgënjyer” që Mali i Zi, priti liderët me shi, dhe jo me diell, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Kështu e nisi fjalën e tij në konferencën e nisjes së këtij samiti i cili po mbahet në Kotor.
“Para se gjithash do të thosha që jam shumë i zhgënjyer që Mali i Zi nuk arriti të na mirëpresë me diell, por na mirëpriti me shi, por çdo gjë tjetër është në rregull”, u shpreh Rama.
Ai më pas tha se ky samit do të hapë shtigje të reja për të gjitha vendet, për t’u integruar në Bashkimin Evropian, në tregun unik të tij.
“Një proces shumë inspirues dhe udhëzues që do të hapë shtigje të reja për të gjitha vendet tona, për t’u integruar në Bashkimin Evropian, në tregun unik të BE-së dhe për të rritur tregtinë duke krijuar kështu mundësi të reja. Vetëm ideja që brenda këtij mund të sigurohemi që transferet financiare të qytetarëve tanë të vendeve tona do ta kenë më të lhetë, do të thotë që nuk do ta kenë barrën e shpenzimeve që kanë, është një gjë e mrekullueshme. Për të tjerat duhet të punojmë”, tha më tej kryeministri i Shqipërisë.