Takimi mes dy autokratëve – Kina synon të shtrijë ndikimin e saj në Evropë

Lajme

Takimi mes dy autokratëve – Kina synon të shtrijë ndikimin e saj në Evropë

Më: 8 maj 2024 Në ora: 20:52
Xi Jinping, Aleksander Vuçiq

Pritjen ia bëri në mënyrë madhështore.

Madje u kujdes që t’ia shtronte edhe tepihun e kuq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i fshihte dot emocionet për takimin me homologun e tij, Presidentin kinez Xi Jinping.

I emocionuar nuk ishte vetëm Vuçiqi por edhe me mijëra qytetarë serb që kishin dalë për ta pritur udhëheqësin kinez.

Presidenti serb u shpreh falënderues për mbështetjen që i ka ofruar Kina, siç tha ai në momentet më të vështira për Serbinë.

Kurse Xi, tha mes tjerash, se do të punojnë së bashku me Serbinë për t’i mbrojtur interesat themelore dhe afatgjate që kanë ata.

Mirëpo politikani opozitar dhe ish-deputeti në Kuvendin e Serbisë, Aleksandar Olenik, nuk sheh edhe aq marrëdhënie të ngushta mes të dy vendeve.

Sipas tij, Kina ka vetëm interesa në Serbi.

“Nuk shoh lidhje te forta mes Vuçiqit dhe Presidentit kinez Xi, thjesht mediet po bëjnë propagandë të fuqishme për këtë takim. Këtu shoh vetëm interesa. Presidenti Xi ka interes për të investuar në Serbi dhe për të dhënë para hua me norma të larta interesi. Tjetër synim i Kinës është të shtrij ndikimin e saj në Evropë dhe këtë po e bënë përmes Serbisë. Në anën tjetër edhe Vuçiqit po i konvenon bashkëpunimi me Kinën sepse nuk ka mekanizma kontrollues për parat e dhëna në formë huaje. Vuçiq mund t’i përdor si të dojë këto para pa i dhënë llogari askujt” , ka thënë ish deputeti serb Olenik

E më i alarmuar për këtë takim po shprehet, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai thotë se Kina po synon të shtrij ndikimin e saj në Evropë.

“Këtë qasje të Serbisë e kemi parë edhe më herët, pra nuk është diçka e re. Një ndër shtylla të politikës së jashtme të Serbisë është ndërtimi i marrëdhënieve të çelikta me Kinën, siç thonë edhe krerët e shtetit. Ndërsa nga perspektiva e Kinës, ata po mundohen ta shfrytëzojnë Serbinë për shtrirjen e ndikimit kinez në Evropë. Kjo është një politikë e rrezikshme që po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor sepse përveç ndikimit rus, tani edhe Kina po synon ta shtrij ndikimin e saj në rajon”, ka thënë Kamberi.

Kina e ka mbështetur vazhdimisht Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat