​Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dënohet me 19 vjet burg kryerësi i krimit

Lajme

​Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dënohet me 19 vjet burg kryerësi i krimit

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.Z. për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj, të akuzuarin I.Z., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjetësh, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.

I pandehuri I.Z., akuzohet se më 20 shtator 2023, rreth orës 07:15, në fshatin Bellanicë të Malishevës, në parkingun e një marketi, me dashje ka privuar nga jeta A. B. nga fshati Vraniq i Suharekës.

Lidhur me rastin janë konfiskuar një pistoletë e tipit SIG SAUER – P320, 57 fishekë të kalibrit 9x19 mm, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9x19 mm, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, arma e konfiskuar do të shkatërrohet në rast se e njëjta nuk evidentohet se është përdorur në ndonjë rast tjetër të hapur, nga Libri i Rasteve të Hapura.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat