Elektrosever njofton qytetarët në veri për faturat e energjisë elektrike

Lajme

Elektrosever njofton qytetarët në veri për faturat e energjisë elektrike

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 20:20
Foto ilustrim

Për 25 vjet, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës nuk paguan asnjë cent për rrymën e shpenzuar. Por kjo pritet të ndryshojë shumë shpejt.

Tashmë punëtorët e kompanisë së licencuar në Kosovë, Elektrosever, kanë nisur t'i informojnë qytetarët se nga marsi do të fillojnë t'u shkojnë faturat. Paraprakisht, ka nisur evidentimi i njehsorëve të rrymës.

Qytetarët kanë thënë se punonjësit e kësaj kompanie të regjistruar në Kosovë, fillimisht kanë vizituar bizneset.

Nisjen e identifikimit të njehsorëve në banesa, shtëpi e biznese, në mënyrë që nga marsi të fillojë faturimi për rrymën e shpenzuar, e konfirmojnë edhe nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Betim Osmani, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka deklaruar për RTK-në se qytetarët tashmë janë të informuar se së shpejti do të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Policia e konfirmon daljen e punëtorëve të Elektroseverit në terren. Por Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se ata nuk kanë kërkuar ndihmë për siguri shtesë.

Për faturimin e energjisë së shpenzuar nga qytetarët e kësaj zone,  në përgjigje për RTK-në, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka sqaruar se sipas ligjit, furnizuesi është i obliguar që faturat t’i shpërndajë tek të gjithë konsumatorët që është kryer leximi i njehsorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat