“Mbi 90 për qind të lajmeve të rreme në Ukrainë kanë burimin rus”

Lajme

“Mbi 90 për qind të lajmeve të rreme në Ukrainë kanë burimin rus”

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 12:10
Natalia Kostina

Mbi 90 për qind të lajmeve të rreme në Ukrainë kanë burimin rus, thotë Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM. Sipas saj, populli ukrainas por edhe vet gazetarët po e paguajnë çmimin e lartë të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë. Në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress, ajo foli edhe për mënyrën se si të parandalohet keqinformimi dhe dezinformimi.

Gjatë panelit të parë me temën “Cilat janë sfidat për Agjencitë e Lajmeve në periudhën e fundit?”, shefja e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform deklaroi se Ukraina po e paguan çmimin e lartë të lirisë së shprehjes por edhe pavarësisë.

Kostina: Po e paguajmë çmimin e lirisë së shprehjes

“Ukraina e ka fituar pavarësinë para 30 viteve dhe kam një shok timin që është në Ballkan këtu dhe e di që kemi diskutuar në mënyrën se si është fituar pavarësia. Fatkeqësisht ne po e vuajmë këto pasoja, po e paguajmë çmimin e lartë në lidhje me këtë, kur vijmë te pjesa e lirisë së shprehjes. Mijëra gazetarëve që janë vrarë dhe liria e shprehjes është themeli për çdo shoqëri demokratike. Për mua është shumë e rëndësishme gjithashtu konferenca e ditës së sotme, ndoshta mund të jemi i vetmi vend që i ka fituar gjërat me djersë, me gjak dhe flasim edhe gjuhën e njëjtë. Nuk ka lidhje a flasim shqip, kroatisht, gjuhën ukrainase, gjithë secili prej nesh e kuptojmë se si ka qenë situata në vendet e tyre përkatëse”, deklaroi ajo.

Derisa ka folur për luftimin e dezinformimit në vendin prej nga vjen, ajo tha se mbi 90 për qind e lajmeve të rreme kanë burimin rus.

Kostina: Më shumë se 90 për qind e lajmeve të rreme kanë burimin rus

“Më shumë se 90 për qind është pjesa e lajmeve të rreme, që në qoftë se është plasuar për Ukrainën janë prej burimeve ruse. Dhe në krahasim me këtë pjesën e dezinfomimit të madh rus, ne kemi një numër shumë të vogël të keqinformimit dhe të lajmeve të rreme brenda për brenda Ukrainës. Niveli i parë është kontrollimi i fakteve dhe në bazë të standardeve që përcaktohet kemi edhe OJQ-të të cilat janë anëtare të rrjetit ndërkombëtar për kontrollimin e fakteve pastaj kemi edhe të nivelit evropian. Gjithashtu një nivel tjetër është analizimi i tregimeve i narrativave që tregohen për të shikuar se ka me të vërtetë lajme të rrema”, shtoi ajo.

Në konferencën ku nikoqire është KosovaPress, po marrin pjesë anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar.

Enkas për këtë konferencë, nga Kievi vjen edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.

Konferenca do të ketë dy panele, ku gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje gjatë dy paneleve dhe gjatë konferencës.

Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.

Ky panel po drejtohet nga Branka Gabriela Vojvodic nga Agjencia e Lajmeve Kroate HINA dhe përbëhet nga: Alan Marshall - drejtori PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar, Camille Bouissou nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, Aimilios Perdiakris nga Agjencia Greke e Lajmeve ANA-MPA.

Në panelin e dytë, folës do të jenë presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymeri, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat