​Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

Lajme

​Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për posedim e shitblerje të narkotikëve në Prizren

Më: 26 janar 2024 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet E.Sh., Z.K., F.Sh., dhe V.Z., për shkak se kanë kryer veprat penale për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, në Prizren, në lokalin me inicialet “L.B”, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe, të njëjtën e shpërndan te të tjerët.

Gjatë kontrollit, në trupin e tij janë gjetur 16 qese plastike me substancë të dyshuar kokainë, ndërsa në lokal janë gjetur 70 qese plastike me kokainë në peshë neto 29.46 gramë dhe një dozë e substancës së njëjtë në peshë 0.31 gramë ia kishte shpërndarë dhe dorëzuar të pandehurit Z.K.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në Hoqë e Qytetit, në dhomën e fjetjes është gjetur një peshore digjitale për matjen e substancës narkotike dhe 4.050 euro që dyshohet se janë fituara nga shitja e substancave narkotike.

Me këtë, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Po ashtu, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 në lokalin “L.B”, lejon dhe toleron përdorimin e narkotikëve në atë mënyrë që të pandehurve F.Sh., Z.K. dhe V.Z., në cilësinë e konsumatorëve, u lejon përdorimin e marihuanës dhe kokainës, me çka kryen veprën penale “Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

Të pandehurit F.Sh., Z.K., dhe V.Z., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, derisa kanë qenë në cilësinë e konsumatorëve në lokalin “L.B” në Prizren, pa autorizim kanë poseduar narkotikë në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga ana e policisë, tek i pandehuri F.Sh. ka gjetur gjysmë joint (cigare e përdorur marihuanë) e dyshuar për lëndë narkotike marihuanë, me peshë prej 0.12 gram.

Tek i pandehuri Z.K., policia ka gjetur katër foli alumini, me sasi të dyshuar narkotikë marihuanë, me peshë neto 1.6 gram dhe një qese plastike me substancë narkotike kokainë, me peshë 0.31 gram.

Ndërsa, tek i pandehuri V.Z., policia me rastin e kontrollit ka gjetur mbetje të substancës narkotike të dyshuar për marihuanë, me peshë 0.26 gram, një peshore digjitale dhe një mulli së bashku me një paketim rizlla, mjete këto për përgatitjen e substancës narkotike për konsumim.

Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor katër të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat