​Nesër liderët ballkanikë takohen në Shkup

Lajme

​Nesër liderët ballkanikë takohen në Shkup

Më: 21 janar 2024 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, do të mbledhë të hënën në Shkup liderët e Ballkanit Perëndimor.

Mikpritës i takimit të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të jetë kryeministri i këtij vendi Dimitar Kovaçevski.

Pjesëmarrjen e kanë lajmëruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ai i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Srgjan Amidzhiq, njofton Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në takim marrin pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman dhe ndihmës sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O'Brien.

Pjesë e tryezës do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), CEFTA dhe Forumi i Investimeve të Odave të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, marrin pjesë në takimin për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shkup.

Në nëntor 2023, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar bashkëpunimin social-ekonomike me BE-në. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat